Si Rama e Margariti do privatizojnë Butrintin, hapet rruga për hotele dhe restorante në Parkun Kombëtar

Kryesore

Publikuar: 28/04/2022

Si Rama e Margariti do privatizojnë Butrintin, hapet rruga për hotele dhe restorante në Parkun Kombëtar

Zbardhen detajet e marrëveshjes për privatizimin e Parkut Kombëtar të Butrintit. Në Kuvend ka shkuar një projektligj i cili parashikon dhënien e Butrintit një fondacioni të posaçëm, cili do krijohet mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan për i Zhvillim, AADF.

Kryeministri Rama e pranoi sot se parku do të përdoret për përfitime dhe duket se aty do të lulëzojnë hotelet, baret, dyqanet dhe restorantet.

Plani përcakton mënyrën e drejtimit dhe menaxhimit ditor të sitit, rekomandon investimet e reja kapitale, shpjegon përfshirjen e banorëve vendas, dhe merr në konsideratë angazhimin e tyre të plotë në Parkun Kombëtar për një periudhë afatgjatë. Mund të parashikohen edhe shumë rezultate të tjera të pamatshme që mund të jenë njësoj të vlefshme, si: mirëqenia e Zonës A3 dhe Parkut Kombëtar përreth tij nëpërmjet largimit të mbetjeve plastike dhe të tjera, punësimit të banorëve vendas si udhërrëfyes, varkëtarë dhe zejtarë, dhe rritjes së të ardhurave të banorëve vendas nëpërmjet ngritjes së hoteleve, restoranteve, bareve dhe strukturave të ngjashme. Disa nga këto rezultate mund të rezultojnë mjaft të rëndësishme si për njerëzit e përfshirë edhe për mirëqenien afatgjatë të Zonës Arkeologjike në tërësi”, thuhet në dokument.

Më tej planifikohet që të blihet nga fondacioni edhe Hotel Livia që ndodhet në Butrint. Ai do të përdoret pikërisht për të akomoduar turistë dhe për të mbledhur sa më shumë të ardhura.

Hoteli ofron ambiente kafeneje dhe restoranti në një kopsht të këndshëm me hije, që frekuentohet nga vizitorët. Hoteli ka edhe 12 dhoma që rezervohen në bazë sezoni. Ndërkohë që mund të mirëmbahet struktura e kateringut në katin e parë, kjo ndërtesë mund të shndërrohet në një qendër burimesh arsimore për grupet shkollore dhe studiues nga Grupi Kërkimor i Butrintit i propozuar bashkë me zyrat për stafin e sitit në katet e sipërme në planin afatgjatë. Nga ana tjetër, hoteli mund të bëhet pjesë e sitit nën pronësinë dhe menaxhimin e Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit, si një hotel me funksionim të plotë, të ardhurat e të cilit do të ndihmojnë në mirëmbajtjen e Zonës A3. Kjo ka ndodhur edhe në raste të tjera, duke përfshirë projektet në të cilat kanë punuar P+P”, thuhet në marrëveshje.

Një tjetër detaj është se parashikohet që të rishikohen kufijtë e Parkut Kombëtar. Qeveria i rishikoi një herë, por duket se tashmë do të ketë një plan të ri që i gjithë Butrinti të menaxhohet nga ky fondacion, duke e kthyer në një zonë private.

Megjithëse fushëveprimi i Planit të Biznesit kufizohet në Zonën A3, është e qartë se duhen marrë parasysh edhe ndërhyrjet jashtë kësaj zone që kanë ndikim mbi Zonën A3. Megjithatë, duhet nënvizuar se kufijtë aktualë të Zonës duhet të ripërcaktohen për të përfshirë informacionet e vrojtimit të fundit dhe për të përfaqësuar më saktë përgjegjësitë e synuara të menaxhimit. Informacioni i përftuar nga hartat dixhitale me referencë GIS i është paraqitur AADF-së si pjesë e procesit të planit të biznesit”, theksohet në dokument.

Pra edhe pse Rama e Margariti shprehen se nuk kemi koncension, duket sheshit se Butrinti do të kthehet në një zonë ku do të lulëzojnë hotelet, baret dhe restorantet. /Marrë nga Pamfleti