Kolegji i Posaçëm i Apelimit, (KPA), vendosi rrëzimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për shkarkimin e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj, ish-kreu i Gjykatës së Tiranës dhe ish-kreu i KED, dhe rikthimin e tij në detyrë. Sipas Komisionin të Pavarur të Apelimit, KPK e ka shkarkuar padrejtësisht, dhe se në të treja kriteret; pasuri, integritet dhe profesionalitet, ka rezultuar se Islamaj, është i pastër. Për rikthimin e Islamajt në detyrë, u votua nga 5 anëtarët e KPA-së.
Islamaj u shkarkua me shumicë votash nga KPK, pasi dy komisioneret Valbona Sanxhaktari dhe Pamela Qirko arritën në përfundimin se subjekti kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për apartamentin e blerë nga i ati në vitin 2010 në çmimin 65 mijë euro. Sipas shumicës, babai i subjektit nuk kishte pasur burime të ligjshme për blerjen e kësaj pasurie të përdorur nga Islamaj.
Seancën e të martës në Kolegjin e Apelimit, duke iu referuar opinionit të vëzhguesit ndërkombëtar, Islamaj kërkoi që të vlerësohen drejt marrëdhëniet familjare në raport me qiramarrjen e apartamentit të të atit.
Ai e cilësoi të pabazuar konkluzionin e shumicës së trupës KPK-së për moskonsiderimin e marrëdhënies së qirasë, ndërkohë që theksoi se kishte provuar burimet e familjes së prindërve për krijimin e pasurisë në fjalë. Po ashtu, Islamaj këmbënguli se me provat dhe shpjegimet e dorëzuara nuk mbetej asnjë dyshim se e kishte paguar rregullisht qiranë në favor të të atit.
Islamaj vërejti se edhe Komisioni nuk kishte ngritur ndonjëherë dyshime se apartamenti i prindërve ku kishte qëndruar me qira, mund të ishte pasuri e tij e fshehur. Ai vërejti se provohej gjithashtu me dokumentacion marrëdhënia e qiradhënies nga babai për subjekte të tjerë gjatë kohës që ai nuk kishte jetuar në atë banesë.
Rastet kur KPA ka rrezuar KPK-në, janë të rralla, ndërsa Fuat Vjerdha ishte i pari zyrtar në sistemin e drejtësisë që është kthyer në detyrë në krye të Gjykatës së Apelit të Shkodrës.