Vuçiç deklaroi se votuan kundër Rusisë nën presion, Rama i del në mbrojtje Serbisë: Ndodhi falë “Ballkanit të Hapur”

Politikë

Publikuar: 09/04/2022

Vuçiç deklaroi se votuan kundër Rusisë nën presion, Rama i del në mbrojtje Serbisë: Ndodhi falë “Ballkanit të Hapur”

Kryeministri Edi Rama, në deklaratën për media foli sërish për Ballkanin e Hapur, ku tha se është shumë i çmueshëm për rajonin, duke thënë se herët e a vonë do e kuptojnë dhe tre vendet e tjera të rajonit dhe do i bashkohen kësaj nisme.

Rama tha se falë Ballkanit të Hapur, Serbia u vendos krah Perëndimit kundër Rusisë. Ai tha se është i vendosur që  do e vazhdojnë Ballkanin e Hapur.

Edi Rama: Pozicioni ynë ndërkombëtar është më i fortë dhe më i respektuar seç ishte. Jemi të barabartë në tryezat ndërkombëtare. S’jemi një faktor pasiv stabiliteti në rajon, por aktorë aktivë. Do vazhdojmë ta luajmë këtë rol, respektohemi jashtëzakonisht shumë. Jemi shumë të vendosur të ecim më tutje në Ballkanin e Hapur. Besoj se asnjë shqiptari të arsyeshëm nuk i vjen keq, kur për dy herë rrjesht Serbia bashkohet me Perëndimin kundër Rusisë. Pa Ballkanin e Hapur kjo nuk do të kishte ndodhur. Ballkani i Hapur është shumë i çmueshëm, do ta kuptojnë edhe të tjerët dhe do na bashkohen. Ne nuk kemi asnjë llogari që t’I fryjmë zjarreve të kota, por t’I fryejmë erës drejt bashkëpunimit.

Ndërkohë, vet presidenti serb në një konferencë urgjente tha se Serbia ka dashur të abstenojë nga votimi për pezullimin e Rusisë nga Kombet e Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Ai shtoi se ndaj Beogradit ka pasur presion të vazhdueshëm që të votojë pro pezullimit.