Edi Rama sinjalizoi sot se po i lëshon drejt burgut ish ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët socialistë në këmbim të një ‘peshku të madh’ korrupsioni në krahun tjetër.
Duke iu referuar kërkesës së fundit të SPAK për të arrestuar deputetin e PS Alqi Bllako për aferën e inceneratorëve, Rama e pranoi se drejtësia po godet vetëm në krahun e tij, por shtoi se ky është vetëm fillimi.
Në fjalën e tij pas mbledhjes së Kryesisë së PS, Rama sinjalizoi goditjen e korrupsionit në vijim në krahun e dyshes Berisha-Meta.
Por, Rama e konsideroi Sali Berishën si të vdekur politikisht, duke sinjalizuar se është Ilir Meta, ai i cili mund të jetë ‘preja’ e radhës e SPAK-ut.
Përveç Ilir Metës, në shenjestër për t’u arrestuar është edhe Fatmir Mediu për Gërdecin, por nuk përjashtohen as emra surprizë.
“Ky është vetëm fillimi. Nuk ka politikanë, nuk ka të fortë, janë të gjithë të barabartë. Habitem që ka akoma nevojë për të tilla pyetje, ndërkohë që gjithçka po ndodh, dhe se përgjigja për të gjithë ata që nuk besonin se në Shqipëri do të bëhet një reformë në Drejtësi, nuk besonin se do të vinte dita se edhe njerëz me imunitet do të shkonin para drejtësisë, nuk besonin se këtë reformë ne e ndërmorëm me shumë vendosmëri, jo vetëm por sëbashku me PS e kemi udhëhequr por vazhdojmë ta mbështesim jo për të kapur drejtësinë por për të krijuar kushtet që me kohë një proces reformimi i drejtësisë të bëjë të mundur që të ketë një Shqipëri të drejtë për të gjithë. Në nivelin personal patjetër që jam i keqardhur, por në nivelin e detyrës sigurisht që i shoh këto që ndodhin si rezultat i asaj që kemi bërë. Rikthimi i Berishës? Unë po flas për të gjallë, ju më pyesni për të vdekur“.