Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, njoftuan autoritetet në Kiev. Nga ana tjetër Presidenti rus, Vladimir Putin, konfirmoi se ka nisur, siç tha, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, shpalli gjendje lufte në vend. Disa shpërthime janë dëgjuar në kryeqytetin ukrainas Kiev. Zyrtarët ukrainas thonë se Rusia ka kryer sulme me raketa në qytet. Të paktën një pallat në kryeqytet është dëmtuar rëndë – raportet thonë se tre persona janë plagosur. Presidenti ukrainas Zelensky iu drejtua kombit dhe i ka bërë thirrje Rusisë për një armëpushim. Zelensky gjithashtu u është lutur aleatëve perëndimorë që të bëjnë më shumë për të ndaluar sulmin e Rusisë. Ai thotë se 137 qytetarë ukrainas – ushtarë dhe civilë – vdiqën të enjten.
Rusët marrin kontrollin e kompleksit të Çernobilit – vendi i fatkeqësisë më të keqe bërthamore në botë. Sanksionet e reja ndaj Rusisë, duke përfshirë ngrirjen e aseteve në banka, janë vendosur nga Brukseli në Kanberra. Presidenti Vladimir Putin mbron pushtimin, duke thënë se nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për të mbrojtur Rusinë
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.