Vëllai i ish-këngëtares shqiptare Anita Bitri, Arbeni foli për motrën e tij të ndjerë në lidhje direkte me emisionin “ABC e Mëngjesit”. Ai tha se pasioni i motrës së tij për këngën e shtyu atë që të vazhdonte misionin e saj për muzikën pas vdekjes së saj tragjike 18 vite më parë në SHBA.
“Në lidhje me Anitën do më duhej të flisja për ditë të tëra. Natyrisht, që talenti i ime motër më mbush me frymëzim. Anita kishte një mision këngën, edhe pse u ndërpre ky mision e vazhdova unë. Ose të mbyllesha në diçka familjare, ose ta përçoja dëgjuesit shqiptari. Si ironi fati, ajo para se të ndodhte tragjedi filloi të bënte librin autobiografik, po nuk arriti ta mbaronte. U mbarua më vonë”, u rrëfye fillimisht Arben Bitri.
Arbeni e kujton motrën e tij si njeri të ëmbël, me mirësi pafund dhe shumë e qeshur. Ai theksoi se Anita nuk ishte e talentuar vetëm për të kënduar, por dhe si violiniste e shkrimtare.
“Unë isha heroi i saj, kam pas një lidhje speciale. Edhe pse ishim larg në një aspekt të jetës, ajo në Amerikë, unë në Itali, ne mbanim kontakt. Anita kishte lindur bashkë me talentin në muzikë dhe letërsi. Ajo nuk ishte vetëm shkrimtare, por edhe violiniste. E dashuronte këngën, nuk ishte vetëm këngëtare, por edhe muzikante e kompletuar se kishte mbaruar violinën. Ishte shumë e ëmbël dhe me një mirësi të pafund, me një të qeshur shpirtërore. Kështu e mbaj mend unë motrën time. Ishte shpërthyese, i pëlqente modernia. Ashtu siç ka thënë edhe Zani Ciko, Anita theu ato prangat. Ajo nuk kërkonte thjesht të shkonte në festival, ajo nuk donte çmim, ishte e kënaqur me duartrokitjet e publikut”, shtoi vëllai i ish-këngëtares së njohur.
Lidhur vdekjen e Anita Bitrit së bashku me të ëmën dhe vajzën e saj në SHBA, Arbeni pranon se vdekja e tyre ishte një tragjedi dhe nuk ka asnjë teori konspiracioni. Ai kujton edhe ceremoninë përkujtimore që i bënë artistët shqiptarë në SHBA.
“Ishte e rëndë, kur tre krijesat më të dashura të familjes ikin nga ky rruzull dhe bëhen engjej. Isha në Itali në Modena dhe nuk e besoja. Të nesërmen pas shumë përpjekjesh e morëm vesh lajmin dhe ikëm në Amerikë. Do të kujtojë atë pritjen madhështore që i bën artistët si Frederik Ndoci. Që bën gjithë atë përcjellje dhe ndihmuan për të dërguar trupat në Shqipëri. Nuk ka asnjë lloj konsipiracioni, ishte një tragjedi. Prandaj u vendos edhe ligji për monoksidi i karbonit. Shtëpia e Anitës nuk e kishte këtë prandaj ndodhi. Zoti Blumber, mbas tragjedisë Bitri vendosi menjëherë ligjin për monoksidin e karbonit. Të gjitha konspiracionet erdhën nga Vlora. Unë jam marr me këtë çështje tre vjet. Ishte injoranca që solli këtë tragjedi”, përfundoi për “ABC e Mëngjesit”, Arben Bitri, vëllai i ish-këngëtares Anita Bitri.
Ish-këngëtarja e njohur e muzikës së lehtë në vitet ’90 u gjet e vdekur mëngjesin e 19 tetorit 2004 në apartamentin e saj së bashku me të ëmën dhe vajzën 7-vjeçare në bulevardin “Ocean Avenue” në Nju Jork. Ekspertiza tregoi se ato ishin asfiksuar për shkak të rrjedhjes së gazit monoksid karboni nga tubacionet në pallat. Bitri vdiq në moshën 38-vjeçare dhe pak kohë përpara se të ndërronte jetë ishte kthyer në Shqipëri.