Sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi është duke dëshmuar ditën e sotme para Komisionit Hetimor për Inceneratorët ku tha se vendimet e qeverisë për këtë çështje kanë qenë të ligjshme.
Agaçi në këtë komision tha se Këshilli i Ministrave ka edhe procedura të përshpejtuara dhe se mbledhja ishte e zakonshme dhe akti është miratuar në rendin e ditës.
Pjesë nga diskutimet në komision:
Pyetje: A e përjashtoni ju që subjekti Albtek Energy të kërkojë fitimin e munguar për 25 vite bazuar vetëm të ky vendim i paligjshëm që keni përgatitur ju dhe Gjiknuri?
Agaci: Vendimi i këshillit të Ministrave është i ligjshëm, fjalën i paligjshëm nuk do ta pranoja. Ligji është i qartë, nuk është e drejtë koncesioni dhe nuk shoh asnjë konseguencë tjetër.
Pyetje: E drejta e shfrytëzimi për 25 vite i jep të drejtë palës kontraktore të shkojë në arbitrazh dhe për këtë duhet të mbajë dikush përgjegjësi. Një akt të tillë për Fierit ju do ta ndërmerrni?
Agaçi: Është e vështirë t’i përgjigjesh pyetjeve me po sikur. Duhet të shikohen fillimisht aktet të analizohen.
Felaj: Akti i miratuar në 17.12.2014 ishte një akt që u fut në procedurë të përshpejtuar?
Agaci: Po, Këshilli i Ministrave ka edhe procedura të përshpejtuara. Mbledhja ishte e zakonshme dhe akti është miratuar në rendin e ditës. Nga viti 2010 deri në 2013 ne kemi gjetur dhjetëra procedura , akte që janë për të cilat është aplikuar procedura e përshpejtuar. Është e njëjta gjë.
Felaj: Para 2013 a ka pasur procedura të ngjashme të iniciuar nga qeveria para 2013?
Agaçi: Nëse nuk gaboj ka pasur iniciativa edhe para 2013.