Një ditë përpara se të niste zyrtarisht fushata elektorale, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimin për kandidatin e Partisë Demokratike, Ferdinand Saraçi, i cili do të garojë për kryebashkiakun e Rrogozhinës më 6 mars.
Sipas Report TV, verifikimi do të bëhet pas kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pasi në formularin e dekriminalizimit Saraçi ka deklaruar dënimin me 4 muaj burg dhe 100 mijë lireta gjobë në Itali në vitin 1999. Sipas vetë demokratit, ai është dënuar për armëmbajtje pa leje në banesë, duke iu referuar për dënimin e tij, nenit 110 të Kodit Penal dhe nenit 10 ligji 17/10/1994, numër 497.
Por vetëdeklarimi është vetëm një etapë! Tani pritet që sektori i dekriminalizimit t’i dërgojë INTERPOL Romës letër-porosi për Saraçin duke kërkuar çdo informacion që kanë për të, duke u bazuar edhe tek gjurmët e gishtrinjëve, pasi mund të ketë pasur identitet tjetër në Itali. Po vetë ka deklaruar se më herët ka pasur emrin Fredi Saraçi dhe më pas e ka ndryshuar në Ferdinand. Mesa duket ngjarja e ndodhur në Chieti të Italisë, në 18 janar të vitit 1999, mund t’i shkaktojë probleme Saraçit por edhe PD-së, që disa kohë më parë kishte si mision të saj dekonspirimin e kryebashkiakëve socialistë që ishin të dënuar më parë.
Megjithatë ky është kandidati i parë për zgjedhjet e 6 marsit që është në verifikim nga njësia e dekriminalizimit dhe me përfundimin e kësaj procedure dhe mbërritjes së dosjes nga INTERPOL Roma do të vendoset nëse Saraçi preket apo jo nga ligji dekriminalizimit, kjo pasi në ligj shkeljet që kanë lidhje me armë zjarri; shpërdorim detyre; krime financiare etj., i përjashtojnë nga e drejta për të qenë kandidatët për zgjedhje. E në rast se fiton, Saraçi rrezikon që të humbasë mandatin e tij 1-vjeçar.