Operacioni policor i kryer në Palma ka shërbyer për të çmontuar një strukturë kriminale shqiptare që siç raporton Garda Civile “mbushte” Evropën me kokainë dhe pastronte paratë e marra nga Mallorca. Siç bën me dije Drejtoria e Përgjithshme e Gardës Civile nga operacioni i përbashkët me Policinë Kombëtare, Europol, Eurojust, DEA (Administrata e Kontrollit të Drogës) amerikane dhe FBI më shumë se 580 pjesëtarë të forcave të sigurisë kanë marrë pjesë në këtë operacion ndërkombëtar, i pagëzuar si ‘Operation Casino’.
Gjithsej 45 persona janë arrestuar, tetë prej tyre në Spanjë – në Mallorca dhe në Barcelonë pasi ishin pjesë e një prej organizatave më të rëndësishme të trafikut të drogës në Evropë, dedikuar shpërndarjes së kokainës në të gjithë kontinentin. Operacioni ka kërkuar koordinimin shtatë vendeve: Belgjikës, Gjermanisë, Holandës, Italisë, Kroacisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, përveç Spanjës.
Sipas hetuesve, të arrestuarit importonin kokainë nga Amerika e Jugut, duke e futur atë nëpër porte të ndryshme evropiane dhe duke organizuar transportin e saj më pas me avionë, varka, kamionë dhe makina. Në këtë mënyrë, ata morën të gjithë zinxhirin e furnizimit, nga origjina në destinacionin përfundimtar. Krahas këtij trafiku droge, në Spanjë dhe në vende të tjera evropiane pastroheshin fitimet nga aktiviteti i paligjshëm. Me sa duket, organizata kishte një strukturë komplekse korporative me seli në Majorka, nga e cila pastronin fitimet. Vlerësohet se në ishull janë pastruar më shumë se 30 milionë euro investime në pasuri të paluajtshme.
Në mënyrë të ngjashme, edhe në Gjermani dhe Kroaci grupi kishte struktura të ngjashme, të cilat përdorën figura për pastrim parash.
Anëtarët e saj udhëtonin shpesh në Dubai, Meksikë dhe Kolumbi për të organizuar bizneset e tyre të paligjshme, duke përdorur gjithashtu mjete komunikimi të koduara për të koordinuar aktivitetet e tyre kriminale. Në Spanjë janë kryer më shumë se 18 kontrolle dhe janë sekuestruar mbi 203,000 euro cash, si dhe 40,000 euro në kriptovaluta dhe 86 vepra arti (piktura vaji) me një vlerë të vlerësuar prej më shumë se pesë milionë euro. Policia ma sekuestruar gjithashtu 16 ora luksoze, shtatë automjete të nivelit të lartë, një jaht, dokumente të shumta dhe pajisje elektronike.
Ndërkohë në Belgjikë janë sekuestruar 1.3 milionë euro, 12 armë të shkurtra, dy prej tyre me silenciator, dhjetë kilogramë kokainë, 13 automjete, ora luksoze, terminale komunikimi të koduara dhe 1000 litra materiale për përgatitjen e drogës. Në Kroaci janë kryer tre kontrolle në të cilat janë sekuestruar 56 mijë euro, dy pistoleta, një dokument identiteti fals dhe disa pajisje elektronike. Dy persona të tjerë janë arrestuar në Holandë, me dy dosje në të cilat është ndërhyrë në pajisje të ndryshme kompjuterike.