Erion Çela, 35 vjeç mbeti viktimë e një atentati pasditen e sotme në Tiranë. Ngjarja që tronditi kryeqytetin,duke shëunuar të parën kronikë të zezë për vitin 2022 ndodhi në zonën e “Don Boskos”. Nga breshëra e kallashnikovit mbetën të plagosur edhe katër persona të tjerë.
Mësohet se viktima është pronar i një tabakino. Mësohet se viktima ka ndryshuar emrin, pasi më herët është njohur si Adriatik Çela.
I plagosur ka mbetur po ashtu edhe vëllai i tij Blerim Çela 28 vjeç, i cili ka marrë plumba në këmbë dhe fytyrë. Ata janë me origjinë nga Dibra dhe jetojnë në Tiranë.
Mësohet se mes të plagosurve është edhe kamerieri i lokalit ku ndodhi ngjarja, Azbi Selimaj, 19 vjeç. Ky i fundit ka marrë plagë në shpatull dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Si ndodhi ngjarja:
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16:15, në zonën e “Don Boskos” në Tiranë. Persona të armatosur të cilët lëviznin me një automjet tip “Mercedes E Class” të zi kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga jashtë në drejtim të lokalit, ku ndodheshin të ulur në një tavolinë viktima dhe personat e tjerë. Për pasojë ka mbetur i vdekur në vend Erion Çela si dhe janë plagosur katër të tjerë, të cilët janë dërguar te spitali i Traumës.
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se i plagosur ka mbetur Arben Dani 46 vjeç, Blerim Çela 28 vjeç, vëllai i viktimës, Edmond Cëroi, 41 vjeç daja i viktimës dhe Azbi Selimaj, 19 vjeç. Ky i fundit është kamarier i lokalit dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.