Prapaskena

Pse u larguan me makinën e viktimës? Dyshimet për vrasjen në Peqin, dinamika e ndjekjes

Publikuar: 28/12/2021

Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm në Peqin, ku u vra me armë zjarri Albi Bashaliu. Autorët e vrasjes kanë pritur derisa ai ka zbritur nga makina për të shkuar te lokali. Ata kanë shfrytëzuar kohën kur ai ka qenë duke ecur drejt lokalit për ta qëlluar për vdekje dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e tij duke djegur makinën e tyre.

Dy pista

Ka dy pista ku policia dyshon pse ata kanë marrë automjetin e Albi Bashaliut për t’u arratisur. Dyshimet janë se autorët që kanë kryer ekzekutimin, janë braktisur nga bashkëpunëtorët të cilët pas kryerjes së krimit dhe djegies së automjetit që përdorën për vrarë Bashaliun, duhet t’i largonin ata nga vendi i ngjarjes. Kjo bëri që autorët pasi vranë Bashaliun, i morën automjetin për t’u larguar pa lënë gjurmë.

Pista e dytë është defekti i automjetit të tyre pasi ka dyshime se pasi kanë kryer krimin, autorët janë afruar te makina për t’u larguar, por ajo nuk është ndezur dhe më pas kanë marrë çelësin e automjetit të viktimës, kanë djegur makinën e tyre dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Vrasja e Ylber Xhahysës

Vrasja dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrje. Kjo pasi vëllai i viktimës në muajin qershor kishte vrarë me armë zjarri një Ylber Xhahysën. Deri më tani policia ka shoqëruar 20 persona, mes të cilëve është edhe djali i Xhahysës, Enriko Xhahysa 22-vjeç.

Në momentin e ekzekutimit të Albi Bashaliut, 22-vjeçari ka qenë në një lokal 150 metra larg vendit të ngjarjes. Pavarësisht se i vëllai Leonard Bashaliu kishte vrarë një person, Albi Bashaliu nuk ruhej dhe bënte një jetë normale. 35-vjeçari Albi Bashaliu u gjet i vrarë me armë zjarri mëngjesin e sotëm në fshatin Gjocaj të Peqinit. 



Më të lexuarat