Të gjitha të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë që gjenerohen përmes platformës e-Albania do t’i kalojnë privatit.
Qeveria ka përgatitur projektligjin ku parashikohet që shërbimet për qytetarët dhe administratën publike të përfitohen online dhe po aty të kryhen dhe pagesat.
Projektligji propozon krijimin e një kompanie të quajtur dg tech, e cila do të jetë nën varësinë e Agjencisë Kombëtare të Teknologjise së Informacionit.
Kjo shoqëri aksionare do të ofrojë për autoritetet publike, autoritetet e pavarura dhe subjektet private të gjitha shërbimet sipas katalogut të miratuar më Vendim të Këshillit të Mbikëqyrjes.
Në draft përcaktohet se deri në 49 për qind e aksioneve do të kalojnë te privati dhe pjesa tjetër do ti mbetet shtetit.
Po ashtu organizimi do të jetë përmes Këshillit Mbikqyrës që do të jetë i përbërë nga shtatë anëtarë.
Një tjetër pikë është dhe vendosja e pagesave për një sërë shërbimesh po ashtu dhe kompanitë që kërkojnë të ripërdorin të dhënat do të duhet të paguajnë faturën përkatëse që sipas projektligjit do të jetë e arsyeshme.
Vendimi vjen në kohën kur përmes whatsapp janë publikuar të dhëna personale të shqiptarëve duke nisur nga numri i identitetit, vendi i punës, paga, numri i celularit, pronësia e automjetit por dhe përkatësia politike.
Deri më tani ende nuk ka persona të akuzuar prej prokurorisë.