Prapaskena

Skemë mashtrimi me TVSH e pastrim parash, Prokuroria e Tiranës kërkon 20 vite burg për Francesco Becchettin! Sekuestrohen 4 kompanitë e tij, mes tyre dhe ‘Agon Set’

Publikuar: 23/12/2021

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 20 vite burg për biznesmenin italian kontrovers Francesco Becchettin, ndërsa ka vënë nën sekuestro 4 kompanitë e tij, mes të cilëve edhe grupin e televizionit “Agon Set”. Becchetti akuzohet për 4 vepra penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, duke kërkuar në total 20 vite burg për të. Biznesmeni italian vazhdon të jetë në arrati dhe për të ka një mandat arresti ndërkombëtar.

20 vite burg Prokuroria e Tiranës kërkon edhe për bashkëpunëtorin e tij italian Mauro De Renzis, i cili akuzohet për “Falsifikim të dokumenteve”, “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Krijimi i skemave mashtruese”, “Mospagim i taksave dhe tatimeve”, “Kontrabandë me mallra të tjerë” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

Gjithashtu nga 8 vite burg është kërkuar nga prokurorja edhe për të ëmën e Francesco Becchetit, Liliana Condomitti e cila është aksionere e 4 kompanive të sekuestruara si dhe për bashkëpunëtoren dhe aksioneren tjetër Erjona Troplini, të akuzuara për “Pastrimi të produkteve të veprës penale”. Për Stavri Pecin, prokuroria kërkon 4 vite burg dhe për Fetah Dervishin 6 vite burg për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”

Gjithashtu janë vendosur në sekuestro 4 kompanitë e Becchettit, konkretisht për “Energji” sh.p.k. “Cable System” sh.p.k, “400 KV” sh.p.k dhe “Agon Set” sh.p.k

Biznesmeni Francesco Beccheti, prej kohësh është një temë debati politik në Shqipëri, pasi fitoi në arbitrazh ndërkombëtar 110 milion euro nga shteti shqiptar, i cili i sekuestroi pasuritë përfshi televizionin “Agon” në vitin 2015. Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, e dënoi Shqipërinë në Prill të vitit 2019 me 110 milion euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit ishte “motivuar politikisht”. Lidhur me këtë vendim, reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se Shqipëria ka fituar 3 nga 4 gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu siç ai e quajti Becchetin, ndërsa vendimin e arbitrazhin e konsideroi të padrejtë.

Shqiptarja.com



Më të lexuarat