Skandali i publikimit të 630 mijë emrave dhe pagave të tyre në sektorin privat dhe shtetëror, konfirmon se Shqipëria është një lavatriçe e madhe pastrimi parash. Nëse Ben Blushi ka deklaruar 247 milionë lekë pagë në muajt, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit deklaron 400 mijë lekë të vjetra pagë mujore, gati sa një punonjëse në rrobaqepësi.
Në të dy raste krijohen dyshime të forta për mundësinë e pastrimit të parave. Një tjetër rast befasues është ai i avokatit Spartak Ngjela, i cili deklaron 300 mijë lekë të vjetra pagë. E dyshimtë është edhe paga e Çim Pekës, drejtorit të Televizionit të Familjes Berisha, Peka deklaron 74 000 lekë pagë, një shifër qesharake, krahasuar me pagën e Arjan Çanit për shembull, i cili merr 17 milionë lekë në muaj.
Gjithashtu oligarku Klodian Allajbeu, përfitues i madh parave publike, deklaron një pagë qesharake në disa kompani, konkretisht 300 mijë lekë të vjetra në muaj. Ndërsa këngëtarja Rozana Radi është paguar tek ‘Ora’ Ylli Ndroqit me 500 mijë lekë të vjetra në muaj, një shumë qesharake dhe që ngre dyshime serioze për pastrim parash.
Sa i takon pagave të gazetareve, tek Ora News dhe tek News 24 gazetarët rezultojnë me pagat më të ulëta, duke ngritur dyshime të forta për operim me dy bordero, një veprim ky pikësëpari në dëm të gazetarëve, por edhe të arkës së shtetit.