Ka votuar pro shkarkimit të dhjetëra gjyqtarëve dhe prokurorëve, në disa raste për 10 mijë USD të pajustifikuara, ndërsa vetë deklaron 50 mijë USD në llogari të burrit duke paraqitur si ‘dokumentacion provues’ vetëm një e-mail. Kjo është anëtarja e Komisionit të Vetingut, Brunilda Bekteshi, e cila ka mashtruar në mënyrë flagrante me deklaratën e pasurisë që ka dorëzuar pranë Inspektoriatit të Lartë Deklarimit të Pasurisë.
Që ka zyrtarë që mashtrojnë me burimin e të ardhurave për të justifikuar pasuritë e dyshimta, kjo është diçka e zakonshme në Shqipëri.
Skandali qëndron në faktin se për disa prej tyre vepron ligji, merren të pandehur dhe ndëshkohen, ndërsa për shumicën prej tyre ligji nuk zbatohet, duke krijuar kështu një padrejtësi ulëritëse me pasoja të paparashikueshme.
Për anëtaren e Vetingut, Brunilda Bekteshin, ka prej më shumë se një viti, një dosje në SPAK me prova dhe fakte të pakontestueshme.
Megjithatë, prokurori i SPAK Dritan Prençi ka kërkuar që kjo dosje të mbyllet pa ndëshkim. Sipas tij, ka disa pasaktësi në deklarimin e pasurisë nga Bekteshi, por nuk ka elemente të veprës penale dhe të mashtrimit me pasurinë.
Në fakt, po të shikosh dosjen e Brunilda Bekteshit nuk kemi të bëjmë thjeshtë me ndonjë pasaktësi, por me falsifikime kontratash, mungesë të ardhurash dhe mashtrime për të mbuluar pasurinë e deklaruar.
Nga dosja del në pah se Brunilda Bekteshi nuk mbulon me të ardhura të ligjshme një pjesë të pasurisë me vlerë 90 mijë euro.
Për një diferencë të tillë, vetë Bekteshi ka shkarkuar nga detyra shumë prokurorë dhe gjyqtarë. Dhe në shumë raste ka vepruar drejt. Por, ligji duhet të veprojë për të gjithë njëlloj.
Për të mbuluar pasurinë, Brunilda Bekteshi në këtë letër që i dërgon ILDKP, deklaron edhe 50 mijë USD në llogarinë e bashkëshortit si përkthyes në një projekt të OKB-së, gjatë vitit 2003.
Por, ajo si dokument paraqet vetëm një e-mail.
“Janar 2003- dhjetor 2003 përkthyes për një projekt të Kombeve të Bashkuara për mjedisin në Shqipëri dhe Ministrinë e Mjedisit në atë kohë.
Në mbështetje të këtij punësimi vëmë në dispozicion dokumentacion a) e-mail ku pasqyrohen të dhëna të pagesës së bashkëshortit tim për përkthime të një Projekti të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin në vitin 2003, në shumën 50 000 USD”, thuhet në letër.
Për të ardhurat e tjera, Bekteshi thotë se nuk ka dokumente.
“Lidhur me dokumentacionin për punësimet e tjera të bashkëshortit, për shkak se është paguar në shtetin turk e kohës së gjatë të kaluar, si dhe faktit që nuk kemi mbajtur dokumentacion pasi asnjëri prej nesh nuk ka qenë subjekt deklarues, akoma nuk e disponojmë aktualisht. Në momentin që mund të disponohet ky dokumentacion apo ndonjë provë indirekte do ta vendos në dispozicion menjëherë”.
Por për mungesë dokumentesh Bekteshi ka shkarkuar disa gjyqtarë dhe prokurorë.
A nuk do të ishte e moralshme që pas publikimit të këtyre fakteve të jepte të paktën dorëheqjen?
A mund të vijojë ajo ndëshkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk provojnë me dokumentacion të ardhurat, kur vetë Bekteshi nuk i provon ato, me të cilat ka blerë pasuri të paluajtshme?!
Fakti më i rëndë është mashtrimi i Bekteshit me kreditë. Dhe kjo nuk është një pasaktësi, siç kërkon ta interpretojë Dritan Prençi, por një mashtrim flagrant dhe falsifikim dokumentesh.
Bekteshi ka blerë një apartament në vitin 2007 me para në dorë.
Dy vite më pas, në 2009 është marrë një kredi në bankë NBG-Durrës, për blerje apartamenti, në shumën 54 mijë euro ndërkohë që në dokumentacion, kuptohet se kredia është marrë për blerjen e apartamentit që në të vërtetë është blerë në vitin 2007.
Në lidhje me këtë pronë, në dosjen kallëzuese thuhet se nuk rezulton të ketë një kontratë për blerje të apartamentit pas marrjes së kredisë në vitin 2009.
Po kështu huaja bankare e marrë është shlyer brenda një afati 5 vjeçar, duke krijuar dyshime mbi të ardhurat e siguruara për mbylljen e kredisë.
Në kontrata noteriale dalin paga 40 mijë euro dhe 16 mijë euro, të cilat Bekteshi nuk i ka deklaruar në ILDKP./Pamfleti