TIRANË- Luftë bravash në PD. Dy ditë nga mbajtja e referendumit të Sali Berishës për shkarkimin e Lulzim Bashës, janë kyçur me dry portat kryesore të degëve të Partisë Demokratike në Shkodër dhe Elbasan, pas asaj në Sarandë të mërkurën. Ndërkohë që edhe në Selinë qendrore në Tiranë janë raportuar kyçje dyersh.
Sot, demokratët që mbështesin Berishën i bënë thirrje kryetarit të degës së PD-së në Shkodër, Xhevdet Amuli të “distancohet nga kjo lajthitje” e Bashës, pasi dega nuk është pronë private.
Edhe Luçiano Boci thotë se në Elbasan urdhri ka ardhur nga lart pasi kanë frikë nga anëtarësia.
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Akil Kraja tha se të gjendur para kësaj situate, do të merren ambiente të reja për mbajtjen e referendumit që kërkon të ratifikojë shkarkimin e Bashës nga delegatët në Kuvendin e 11 dhjetorit.
Megjithatë zyrtarë të degëve në këto rrethe që janë në detyrë dhe nuk janë shkarkuar nga Basha si ata që mbështetën hapur Kuvendin e Berishën, thonë se portat hyrëse në degë nuk janë mbyllur prej tyre.