“Mafia e inceneratorëve” në kërkim, a u dekonspirua arrestimi i treshes Zoto-Mërtiri-Gugallja?

Pa Kategori

Publikuar: 15/12/2021

“Mafia e inceneratorëve” në kërkim, a u dekonspirua arrestimi i treshes Zoto-Mërtiri-Gugallja?

SPAK njoftoi dje zyrtarisht se ka shpallur në kërkim “bosët e inceneratorëve”, Klodian Zoto e Stela Gugallja, ndërkohë që burime mediatike flasin se “rrjetës” së prangave i ka shpëtuar edhe “njeriu-hije”, Mirel Mërtiri, të cilët akuzohen për një seri veprash të rënda së bashku me ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i arrestuar paraditen e së Martës.

Ky zhvillim ngre dyshimet se “shefat” e dukshëm të asaj që konsiderohet si “afera e inceneratorëve” mund të kenë pasur informacion paraprak për veprimet e prokurorisë speciale dhe janë larguar për t’i shpëtuar arrestimit.

Ky dyshim forcohet më tepër nga një bisedë rastësore që zhvilloi një ditë më parë “Boldneës.al” me administratorin e një kompanie riciklimi.

Sipas tij, “prej disa ditësh ishte bllokuar aktiviteti i pranimit të mbeturinave në landfillët e menaxhuar nga Zoto-Gugallja-Mërtiri, pasi ata kishin mësuar se “mund të goditeshin nga SPAK” dhe për këtë arsye po merrnin masa që të zhduknin sa më shumë gjurmë, duke pezulluar edhe veprimtarinë e tyre.

Vetëm një ditë pas kësaj bisede, tërësisht rastësore, Policia zbatoi vendimin e Gjykatës Speciale për arrestimin e Lefter Kokës, ndërkohë që SPAK informoi zyrtarisht se nuk është bërë i mundur ndalimi i Klodian Zotos dhe Stela Gugalljas, përkatësisht pronarët e kompanive “Integrated Technology Service” dhe “Albtek Energy”.

Lefter Koka, ish-Ministër i Mjedisit në mandatin qeveritar “Rama 1”, u zgjodh deputet i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit të vitit 2021.

Por, ai njoftoi dorëheqjen nga mandati i deputetit një ditë para se të niste punën legjislatura e re parlamentare, në Shtator të këtij viti.

Një portal pranë kryeministrit Edi Rama, i menaxhuar nga këshilltari i tij Baton Haxhiu, ngriti pak kohë më parë dyshimin se Lefter Koka dhe një tjetër deputet që i është atashuar maxhorancës socialiste të Ramës, ishte në listën e “non-grata-ave” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pikërisht, një informacion i ngjashëm duket se i është përcjellë Kokës, i cili u detyrua të japë dorëheqjen, për t’i shpëtuar linçimit publik.

Por, menjëherë pasi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, Lefter Koka e kuptoi se ishte “keqpërdorur” nga Rama, sipas bisedave që ai ka bërë me njerëz pranë tij.

Ky incident duket se ka ndërprerë komunikimin dhe marrëdhëniet mes tyre dhe Koka u gjend i vetëm përballë hetimit penal që kishte nisur më herët SPAK për aferën e inceneratorëve.

Ndërsa biznesmenët Klodian Zoto-Stela Gugallja e Mirel Mërtiri vijojnë të jenë ende në “tarafin” e kryeministrit Rama, i cili është shfaqur personalisht në impiantet e tyre të përpunimit të mbetjeve për të propaganduar sistemin qindra milionë euro të përpunimit të mbetjeve.

Në përfundim, Lefter Koka që humbi komunikimin me Ramën u arrestua, ndërsa “treshja e inceneratorëve”, të cilët vijojnë të jenë ende afër me kryeministrin, i “shpëtuan” prangave të Policisë, të paktën deri më tani.