Të fshehtat përvëluese të dosjes “Taçi”: Kush janë ministrat e Ramës që përfliten në përgjimet e Cosa Nostra-s?

Pa Kategori

Publikuar: 19/11/2021

Të fshehtat përvëluese të dosjes “Taçi”: Kush janë ministrat e Ramës që përfliten në përgjimet e Cosa Nostra-s?

Burimet flasin për përgjime shumë të bujshme, pjesë e të cilave janë bërë zyrtarë shumë të lartë të qeverisë, materiali i të cilëve është i zbardhur, e pritet të shpërthejë dita ditës.

Në mënyrë krejt të çuditshme, u shfaq në një televizion shqiptar i kërkuari ndërkombëtar Rrezart Taçi.

Natyrisht intervista ishte përgatitur prej kohësh, por u dha pikërisht ditën kur policia italiane bastisi shtëpinë ku jetonte biznesmeni shqiptar në Milano.

Kush e drejtoi Taçin për t’u intervistuar në Top Channel pa u shpallur hetimi nga Prokuroria antimafia e Palermos dhe nga SPAK?

Në cilin vend u bë intervista dhe kush ka hyrë ndërmjetës që kjo të bëhet gati kur të shpërthej bomba?

Këto janë në fakt pyetjet e para që bëhen mbi ngjarjen, e cila ka bërë bujë prej ditësh, por që çuditërisht ka shkaktuar një heshtje në të gjithë kampin politik të Tiranës.

Mbi këtë zhvillim të rëndë ndërkombëtar, nuk po flet as mazhoranca, as opozita e Lulzim Bashës, por as ajo e Sali Berishës. As edhe një zë…

Ndërkohë që biznesmeni kontrovers flet në Top Channel, ku zhvillon një intervistë thjesht për të pastruar veten, e flet si e bëri milionëshin e parë, apo si arriti të bëhej i famshëm në Shqipëri. Sikur nuk kishte ndodhur asnjë gjë.

Në fakt Rezart Taçi, është një biznesmen që e “çoi për bojë” të gjithë sektorin e naftës në vend, duke e rrafshuar njëherë e përgjithmonë.

Uzina e Përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, tashmë është jashtë përdorimit, ndërkohë që ishte një aset i rëndësishëm ekonomik e social jo vetëm për Mallakastrën, por për të gjithë qarkun e Fierit.

Po ashtu Alpetroli, nga një ndërmarrje e fuqishme e prodhimit të naftës e gazit, është një fantazëm e rrënuar, e që shumë shpejt do të shkojë në zero.

Ishte Rezart Taçi, personi që i shkatërroi të dy këta gjigandë të dikurshëm të ekonomisë shqiptare , pasi njërën e rrënoi pas privatizimit dhe tjetrën e çoi në faliment, ngaqë nafta shqiptare ishte lëndë e parë pikërisht për uzinën e Ballshit. Asnjë operator tjetër nuk pranon të furnizojë atë impiant përpunimi me naftë bruto.

Si mund të ketë surrat Rrezart Taçi e të flasë si biznesmen korrekt e që i përmbahet normave?

Si mund të lejohet që një televizion kombëtar të shërbejë si një lavatriçe për një person të kërkuar për allishverishe me një nga klanet më të fuqishme të mafias siçiliane Cosa Nostra?

Ka vetëm një arsye; duan ta llastojnë biznesmenin që solli në Tiranë Realin e Madridit e Cristiano Ronaldos, si dhe Milanin e Berlusconit. Pasi e gjithë kjo lojë bëhet për të daravitur ngjarjet më të mëdha të këtij fashikulli, dosje e cila ka shfaqur vetëm “Majën e Ajzbergut”; 96 faqet e para, ku ndërkohë ka edhe 100 faqe të tjera që thuhet se janë “shpuzë”. Ku flitet pikërisht për udhëtimet në Podgoricë të një supërministri të Ramës, për të negociuar për çështjen e Prva Bankës së Aco Gjukanoviçit, vëllait të Presidentit të Malit të Zi.

Bëhet fjalë pikërisht pas zgjedhjeve të 25 prillit, kur në Mal të Zi u dërgua një nga ministrat më të fuqishëm të qeverisë së Edi Ramës. Madje e përfaqësoi edhe në një samit ndërkombëtar të një niveli shumë të lartë.

Thelbi i dosjes së prokurorisë së antimafia-s italiane nuk duket se është çështja e 18 milionë eurove, të cilat u depozituan në Itali nga Fabio Petruzzella, financier i Francesco Zummo-s, apo siç thirret në Palermo si “larësi” i parave të korleonezëve të Toto Riina-s e Bernardo Provenzano-s.

Burimet flasin për përgjime shumë të bujshme, pjesë e të cilave janë bërë zyrtarë shumë të lartë të qeverisë, materiali i të cilëve është i zbardhur, e pritet të shpërthejë dita ditës.

Në Shqipëri është shumë e vështirë, madje më shumë se në Europë të qarkullosh para në mënyrë të lehtë, pasi për shuma të mëdha tringëllon procesori i alertit, i cili është i katërfishtë dhe sinjalizon si Europol-in ashtu dhe FBI-në amerikane. Ky sistem është vendosur që prej disa vitesh. Procesori aktivizohet në mënyrë automatike dhe kontrolli i serverit nuk është në Shqipëri. Plus pastaj edhe frikën e operatorëve financiare, si dhe të zyrtarëve të pastrimit të parave.

Prej vitesh pastrimi në bankat shqiptare, sidomos nga elementë të njohur të krimit të organizuar, është një operacion shumë i vështirë, thuajse i pamundur.

Ndaj, duket se pas “këstit të parë” të 18 milionë eurove që janë çikërrima për mafian siçiliane, të fshihet një mega operacion ndoshta edhe miliardash ku paratë ishin destinacion i një investimi.

E pikërisht kjo ndodhet në pjesën që po heton Antimafia italiane dhe SPAK, hetim për të cilin çdo gjë bëhet në sekret të plotë.

E është pikërisht kjo pjesë që ka tronditur shumë në Tiranë.

Kujt i drejtohej “sherri show” i Ervin Salianjit me Erion Braçen? Natyrisht zv.kryeministrit që e përmendi vetë Salianji. Erion Braçe e mohoi të ishte ai zv.kryeministri i përmendur në përgjim. Megjithë “padjeshkat” e pakuptimta të Erion Braçes vetëm një naiv mund të besojë se ky i fundit ka fuqi për operacione të tilla. Ama paratë e Taçit janë bllokuar më 24 korrik, fakt që e përjashton automatikisht edhe zv.kryeministrin e ri.

Po kush është atëherë “kopetenti” i përgjuar që ka rënë në grackën e shërbimeve, që ka udhëtuar drejt Malit të zi për të negociuar çështjen me Prva Bankën e Aco Gjukanoviçit, vëllait të Presidentit të Malit të Zi?!

Duket se edhe termi “zv.kryeministër” është një kod më vete i të gjitha këtyre diskutimeve, pasi fjala është për një person shumë të rëndësishëm në qeveri, që është edhe më i fortë se një zv.kryeministër.

Dihet se në qeverinë e Ramës, zv.kryeministri është person pa kompetenca në kabinet.

Shkaku i vetëm i këtij pozicioni është që të firmosë VKM-të apo projektligjet që nuk do Babloku t’i siglojë.

Po kush është ai anëtar i kabinetit, ai supërministër që ka fuqi e kompetenca më shumë se të tjerët?

Në këtë qeveri, janë shumë pak persona që e kanë këtë fuqi, por që pikërisht ky pushtet ia ka errur sytë dhe kanë rënë në grackën që i ka ngritur DIA italiane Taçit e Zumos, por që ka kapur edhe një peshk të madh, po shumë të madh…/Pamfleti