Sali Berisha tha sot se nëse Lulzim Basha shkon në SHBA, do ta arrestojnë, pasi ka dy dosje të rënda mbi kurriz. Berisha tha se Basha ka dosjen e lobimit rus dhe dosjen Toyota Jaris.
“Lulzim në Shtëpinë e Bardhë shkoi dhe Saje Qorri (Saimir Tahiri), shkoi me dosjen Habilaj në kurriz. Ti shkon aty me dy dosje, po kaq të rënda. Me dosjen Muzin dhe dosjen Toyota Jaris. Këtë të dytën e ndan me Taulant Ballën”, tha Berisha.
Duke iu përgjigjur akuzave të Bashës se firmat po ja mbledhin kriminelët, Berisha tha se në rrjetet sociale të tij ka më shumë se të gjithë denoncime për Suel Çelën. Berisha tha se Basha i lutej përmes telefonatave itë mos ja përmendë emrin Suel Çelës.
“Po dridhen themelet e narkoshtetit. Nuk dinë se çfarë flasin. Cilido të vijë këtu tek unë dhe të shkruajë emrin në librarinë digjitale timen, Suel Çela, dalin 26 statuse në Facebook-un tim, e kam denoncuar më shumë se të gjitha mediat. Merreni FB-në e Bashës nëse e ka përmendur njëherë. Merrni tabulatet telefonike të Bashës me mua kur më thoshte mos ja përmend emrin, por unë nuk ndikohesha. I ka ngelur shpifja dhe trillimi, unë them se e urdhëruan të thërrasë anti-Kuvendin e datës 18. Lidhur me firmat jo vetëm që janë 4200, por po shkojnë drejt 5 mijë. Pse ne nuk i publikojmë? Ka tre pengesa të mëdha ligjore që s’mund të publikohen, ligji për të dhënat personale, Kushtetuta për të dhënat personale, dhe Koventa për të drejtat e njeriut për të dhënat personale, që nuk e lejojnë një gjë të tillë”, tha Berisha.
Kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili tha nga ‘Foltorja’ e Librazhdit se Basha i ka kërkuar të mos e përmendtë emrin e Suel Çelës. Sakaq, Berisha tha se Basha mund të shkojë në SHBA, por me dy dosje të ‘nxehta’ mbi kurriz, atë Muzin dhe Toyota Yaris. Basha thotë në reagimin e tij se ish-kryeministri po riciklon akuzat e Edi Ramës, ndërsa thekson se PD do të jetë përjetë aleate e SHBA dhe askush s’mund ta përdorë partinë për interesa personale.
“I keqardhur sa poshtë ka rënë Sali Berisha që riciklon akuzat e Edi Ramës. Sali Berisha me asnjë trillim nuk do ta bunkerizojë PD për interesat e tij personale. PD është dhe do të jetë përjetë aleate e SHBA dhe askush nuk mund ta shndërrojë në mburojë të interesave personale!”-shkruan Basha në Twitter.