Vrasja e Mateos, gafa e ministres për Fëmijët: S’kam kohë jam vonë, s’janë kompetencat e mia! PD kërkon dorëheqjen! Reagon sërish Muzhaqi

Pa Kategori

Publikuar: 18/11/2021

Vrasja e Mateos, gafa e ministres për Fëmijët: S’kam kohë jam vonë, s’janë kompetencat e mia! PD kërkon dorëheqjen! Reagon sërish Muzhaqi

Kur opinioni publik është tronditur për vrasjen në Fier dhe të gjithë drejtuesit politikë e shtetërore kanë reaguar, ministrja  Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi nuk ka pasur asnjë koment sot.

Ajo shmang pyetjes së gazetarëve në lidhje me krimin e rëndë të ndodhur në Fier ku fqinji vrau Mateon e vogël 8 vjeç. Muzhaqi u tha gazetarëve se nuk kishte kohë: “Jam shumë vonë e më duhet të lëviz”. Ajo i kujtoi edhe kompetencat gazetarëve. Ky reagim arrogant bëri që rrjeti të shpërthejë.

Gazetarja: Donim t’ju bënim disa pyetje mbi abuzimet

Bora Muzhaqi: Jam shumë vonë më duhet të lëviz

Gazetarja: Mund të përgjigjeni se dy minuta ju marrim. Kjo është përgjigjia juaj? Drejtoni një institucion…

Bora Muzhaqi: Institucioni im nëse do të kishit lexuar VKM-në që tregon përgjegjësitë e mia, do e kishit kuptuar përgjigjen time.

Ndërkohë deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa i ka kërkuar dorëheqjen ministres, duke theksuar se sipas saj nuk është e denjë për atë pozicion që mban.

Dy realitete krejt të ndryshme kishte sot në Tiranë. Familjarët e Mateos, të dërrmuar nga dhimbja, që kërkojnë ndihmën e qytetarëve për të firmosur kthimin e dënimit me vdekje dhe Ministrja e Edi Ramës për fëmijët, që shpërfill me buzëqeshje dhimbjen e pamasë për vrasjen makabre të vogëlushit. Bora Muzhaqi ikën pa thënë asnjë fjalë për të, pa treguar aspak dhimbsuri, përulësi dhe përgjegjshmëri për detyrën e saj. Kur të shihni videon, jam e sigurtë se do të revoltoheni njësoj si unë. Dhe nuk e them këtë, sepse unë jam deputete e opozitës, që shoh më të këqijat tek qeveria. Jam e revoltuar si nënë dhe si qytetare, kur shoh Ministren për Fëmijët të na përpalsë në fytyrë VKM-në e detyrave të saj. Zonja Ministre! Ju sot duhet të jepni dorëheqjen, sepse nuk jeni e denjë të bëni politika për fëmijët tanë!  Jeta dhe mirëqenia e një fëmije është çështje shumë më e madhe sesa një VKM. Por ju këtë zonja Ministre nuk mund ta kuptoni, sepse jeni në atë detyrë jo për meritën tuaj, por sepse Edi Ramës i duhet buzëqeshja juaj!’– shkruan Zhupa.

Por pas disa orësh, Bora Muzhaqi tha reaguar duke thënë se deklarata e saj është keqkuptuar dhe është përdorur me sarkazëm politike e mediatike. Ajo thotë se funksioni i saj është të merret me programet jashtëshkollore dhe se për ngjarjen nuk iu duke e udhës të jepte një opinion personal.

Ndjesë nëse kam lënë shteg për keqkuptimin e kujtdoqoftë që ka pritur një përgjigje tjetër nga unë, përballë disa mediave të cilat m’u gjendën përballë duke shkuar për një tjetër takim pune. Jam thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit dhe besoj se gjithçka mund të bëhet më tutje për adresimin e çështjeve të pyetjes, do të bëhet, ashtu si duhet, nga institucionet. Detyra ime funksionale është angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve e studentëve, si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet. Prandaj dhe nuk m’u duk e udhës të jap një opinion personal mbi fusha të tjera specifike për të cilat m’u drejtua pyetja. Ndërsa për sa i takon sarkazmës politike apo mediatike me tragjedinë, nuk kam asnjë koment. E kam neveritur gjithnjë lojën publike me dhimbjen e shkaktuar prej tragjedive. Por sot e provova shijen e saj drejtëpërdrejtë. Vdekja e dhunshme e një fëmije nuk mund të jetë kurrë arsye për të luajtur me njeri-tjetrin. Ndjesë edhe njëherë atyre që kanë keqkuptuar përgjigjen time“, shkruan Muzhaqi