Salianji tenton të përplaset fizikisht me Braçen, ndërhyn garda: Ke dalë te përgjimet e Taçit! Deputeti i PS: Shpifës që paguhesh me para cash! Masë disiplinore për deputetin e PD

Pa Kategori

Publikuar: 16/11/2021

Salianji tenton të përplaset fizikisht me Braçen, ndërhyn garda: Ke dalë te përgjimet e Taçit! Deputeti i PS: Shpifës që paguhesh me para cash! Masë disiplinore për deputetin e PD

Një përplasje që mund të kishte përfunduar në grushte dhe konfrontim fizik, nëse nuk do të kishte ndërhyrë garda ndodhi në sallën e Kuvendit mes deputetit të PD, Ervin Salianjit dhe atij të PS, Erion Braçes. Salianji iu drejtua Erion Braçes duke i thënë nëse është ai zv.kryeministri që ka dalë nga përgjimet në Itali për çështjen e biznesmenit Rezart Taçi

“Kjo hipokrizia sikur këtu ka disa gra ministre e deputete bëjnë të prekurat për një fjalë që nuk prek askënd, kurse kur km i drejtohet kryetares së parlamentit për mbarimin e fjalës i kthehet. Ka 10-fishuar pasurinë e saj dhe bashkëshortit të saj zonja Bushka. Prandaj del dhe bën këtu si engjëll, por nuk është engjëll. Zotëria, parafolësi im 40 milionë euro me tendera. Ky zotëria që del dhe bën si më i shqetësuari, në përgjimet e prokurorisë italiane, për Rezart Taçin. A je ti zv.kryeministri që del në përgjime. Mos m’u drejto mua si kone se je mësuar me këta ,” tha Salianji.

Por kjo ka sjellë acarimin e Braçes i cili edhe pse po largohej nga Salla është kthyer pas duke iu përgjigjur Salianjit, por kaq është dashur që deputeti demokrat të shkojë të përplaset fizikisht me të, që solli ndërhyrjen e gardës për t’i ndarë. Pas përplasjes kryetarja e Kuvendit ka vendosur 5 minuta pushim dhe me nisjen e seancën bëri të ditur se ndaj Salianjit është vendosur masë disiplinore ‘tërheqje vëmendje’ .

Pas ngjarjes Braçe e cilësoi Salianjin shpifës që paguhet me para cash për të bërë këtë gjë. Ai tha se me Rezart Taçin nuk ka pasur kurrë kontakt dhe se ai është denoncuesi më i madhe i aferave të ARMO-s.

Nga ana tjetër Salianji tha se nuk e kuptoi ‘pse i dogji Braçes’ pasi vetëm e pyeti nëse ai kishte dalë në përgjimet italiane për Taçin.