Ekzekutimi bme rreth 30 plumba i Erigers Mihasit dhe shokut të tij, Armando Dumanit, tek dy rreth-rrotullimet e Unazës së Re në Tiranës, ka nxjerrë në sipërfaqe skandalin e një dosje penale, që vijon të qëndrojë e hapur në prokurorinë e Gjirokastrës.
Makina e djegur që autorët përdorën për vrasjen e Mihasit dhe Dumanit është gjetur e djegur në Borizanë të Krujës.
Por kjo vrasje ka ngritur edhe një herë tjetër, problemin e institucioneve të dobëta të drejtësisë ahqiptare, në raport me elementët e dyshuar të krimit, që përfshihen në vepra të ndryshme penale.
Prapaskena ka zbuluar dokumentat gjyqësore që tregojnë se si prokurori, Emëror Kasaj, urdhëroi arrestimin në 22 janar 2019 të Erigers Mihasit për ngjarjen e marsit 2015 ku u grabitën me armë brenda në banesë dhe më pas u plagosën rëndë dy persona të moshuar, Naim Çiça dhe Antonela Çiça, dy prindërit e Elton Çiçës në Tepelenë.
Dosja kundër Erigers Mihasit, vijon të qëndrojë e hapur ende në prokurorinë e Gjirokastrës.
Ndërsa personi i dyshuar për grabitjen e dy prindërve të Elton Çicos, Mihasi, vijonte që prej muajin korrik 2019 të gëzonte lirinë e tij. Ishte vetë prokurori Emëror Kasaj që në muajin janar 2019 arrestoi Mihasin për shkak të pranisë së një gjurme gishti në një nga paketat me cigare të gjetura në makinën e krimit tip “Audi A3”.
Dhe sërisht ishte vetë prokurori, Emëror Kasaj, që 6 muaj më vonë në korrik të 2019 do i kërkonte gjykatës së Gjirokastrës që ti ndryshonte masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje pranë policisë gjyqësore”.
Deri ditën e djeshme, për Mihasin ka qenë në fuqi kjo masë sigurimi e caktuar nga gjykata dhe prokurori. Por pavarësisht kësaj mase, Mihasi ka udhëtuar disa herë jashtë shtetit, duke krijuar dyshime se ka thyer këtë masë sigurimi, siç është “detyrimi për paraqitje”.
Mirëpo pavarësisht se Mihasi u lirua nga prokurori Kasaj, ky i fundit vijoi hetimet në gjendje të lirë për Mihasin për akuzën e “Grabitjes me armë”, kryer në bashkëpunim, “Plagosjes së rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa lejë të municioneve luftarake”.
Gjatë hetimeve, Kasaj realizoi një analizë ADN-je për Mihasin, por nuk përputhej profili i tij me disa njolla gjaku që u konstatuan në një palë pranga dhe në një xhup.