Me një dorë në kadaif e tjetrën në bakllava, ministrja e re e Bujqësisë kontrollon ende çdo qindarkë që del nga AZHBR. Pakti i shoqeve të ngushta dhe halli i fermerëve shqiptarë.
Pasi përlau 94 milionë euro fonde evropiane të programuara për fermerët shqiptarë, me një dosje të trashë abuzimesh dhe zhdukje milionash, të vërtetuara edhe nga kontrollet e KLSH, -pavarësisht se duhej të ishte duke dhënë llogari përpara drejtësisë – Frida Krifca sot krekoset në zyrën e Ministres së Bujqësisë.
Biondja aspak karizmatike, por boll e mençur sa për të siguruar lidhjet e duhura, po shijon karrigen që ëndërroi për 4 vjet dhe që kryeministri Rama ia dha kur ish-drejtoreshës së tmerrshme e të AZHBR, i ishin shuar të gjitha shpresat se do ta fitonte.
Ama luftoi e loboi aq shumë për atë karrige, i bëri hyzmetin aq shumë biznesmenëve që kanë lidhje me pushtetin, sa nuk është aspak çudi që Frida e mori më në fund atë që deshi.
Jo më kot pseudonimin në rrethe të brendshme, Frida Krifca e ka “luleshtrydhja”…
E ka kështu jo vetëm pse i ha shumë luleshtyrdhet, por edhe sepse burri që e mban në pushtet dhe që e bëri ministre merret pikërisht me biznesin e luleshtrydheve. Ai është shumë i famshëm në fushën e tij dhe Frida Krifca i detyrohet gjithçka ka.
Por kjo gjë dihet dhe askujt nuk i bën më përshtypje. As vetë kryeministrit qe e kurseu, (si rrallë të tjerë), kur Frida u karkalesh me biznesmenë duke i vjedhur e dëmtuar bizneset, në kohën kur ishte drejtoreshë e AZHBR. Luleshtrydhja e shpëtoi Fridën…
Frut me fuqi të medha afrodiziake thonë…
Por sot do të flasim për një tjetër bëmë të luleshtrydhes Krifca. Bëma e radhës ka lidhje me AZHBR që me sa duket i ka lënë aq shumë lezet Fridës, sa nuk po heq dot dorë edhe pse i dhanë një post më të bëshëm dhe me fonde më të bollshme vjetore krahasuar me sektorët e tjerë.
Por Fridës nuk i ndahet shpirti nga AZHBR. I ka lënë lezet dhe i do edhe ato të shkreta miliarda që jepen për fermerët. E meqë mbrojtësin e ka të fortë, Frida ka çuar si zëvendëse ne AZHBR shoqen e saj të ngushtë.
Gjë që ka sjellë edhe ndryshimet e rregullave të lojës për fermerët që aplikojnë me shpresë se, ato që thotë Kryeministri në ERTV janë të vërteta.
Kur ishte drejtoreshë Frida, pazari i një granti, financimi, tenderi apo çdo lloj tjetër lëvrimi fondesh ishte 20% për drejtoreshën bionde. Pazar kurrë i parë e dëgjuar më parë në AZHBR. Por ndryshe nuk i gjendej ana Fridës.
Ndërsa tani që ka shkuar shoqja e saj e ngushtë aty, puna është shtrënguar akoma më shumë. Se vërtet Frida do 20% të fondeve, por ajo nuk i ndan me të tjerë dhe shoqja e ngushtë, drejtoresha aktuale e do një gjë të “vockël”, ta çojë në shtëpi edhe ajo. Gjë që e ka çuar pazarin në AZHBR në 30%.
Merreni me mend dhe imagjino veten në vend të fermerëve të ngratë që përplasen në ato dyer.
Por a ia ndjen Fridës? Fare!
Fundja pse t’ia ndjejë. Kur i kishte humbur shpresat e nuk besonte më, Rama e bëri ministre edhe pse i dinte këto gjëra. Prandaj Frida luan “luleshtrydhesh” e bën çfarë do. Frut që ecën në treg luleshtrydhja. Prandaj e ka zgjedhur ndër të tjera biondja e tmerrshme e Ministrisë së Bujqësisë.
Prisni se do ia dëgjoni këngën shpejt në fusha promocioni. Për këto Frida është ustalleshë…/Pamfleti