SHBA – Në një intervistë për zërin e Amerikës, Monika Kryemadhi komentoi edhe deklaratën e presidentit Ilir Meta para zgjedhjeve, që do të kthehet në krye të LSI në përfundim të mandatit si kreu i shtetit.
Kryemadhi nuk dha një përgjigje të qartë, por theksoi se kushdo është i mirëpritur për t’u kthyer në LSI, për të kontribuar në forcimin e demokracisë.
“Nuk mund të them sa i përket kësaj gjëje. Di të them që LSI mirëpret çdo njeri që do të kthehet dhe të kontribuojë për të forcuar demokracinë”, theksoi ajo.
Kryemadhi foli për rolin e LSI, sot e cila ka një numër të vogël deputetësh në parlament dhe pa grup parlamentar.
“Sot një nga problematikat më të mëdha që ka jeta politike shqiptare nga zbatimi i rregullores në parlament është në udhëkryq të jashtëzakonshëm. Roli i LSI nga një mekanizëm kontrollues që mbante balancë mes dy ekstremeve të mëdha, tashmë ky mekanizëm që ruante balancë qoftë për reformën në drejtësi, apo edhe në 8 ligjet e saj.
Sot jemi në një aspekt komplet tjetër ku flasim me tallje me qytetarët shqiptarë. Kryeministri flet për ujin e pijshëm. LSI e sheh veten duke vazhduar misionin e saj. Kauza e opozitës deri në zgjedhjet e 2021, ajo që dua të them që LSI vazhdon të qëndrojë. Javën që kaloi dorëzova padinë e tretë për inceneratorin e Fierit. Kemi denoncime të tjera”, tha Kryemadhi.