Më në fund SPAK-u vendosi të veprojë duke sekustruar kompaninë e kokainës “ALBA EXOTIC FRUIT”, me pronar bosin e drogës Eduart Dautin, i cili trafikonte rregullisht kokainë nga Ekuatori në Portin e Durrësit.
U deshën që në kontenierët me fruta të kompanisë së Dautin të kapeshin gjashtë herë ngarkesa me kokainë që SPAK të lëvizte, për të bllokuar ndërmarrjen e drogës që kamuflonte trafikun me banane.
SPAK, përveç bllokimit të kompanisë, ka nisur edhe hetimin pasuror për pronarin Eduart Dauti, i cili ka 90 % të aksioneve. 10 % të aksioneve i ka vëllai i tij Barjon Gumeni, tashmë i arrestuar dhe që ka ndryshuar mbiemrin.
Eduart Dauti është në kërkim që në korrik dhe Gjykata Speciale ka firmosur një vendim për ta mbyllur në burg.
Megjithatë, Eduart Dauti sillet nëpër Tiranë dhe administron kompaninë e drogës përmes një femre misterioze me emrin Oksana Kajo. Meqenëse vetë është në kërkim dhe nuk mund të paraqitet formalisht në Qendrën e Biznesit, bosi i kokainës
Eduart Dauti ka futur në lojë Oksana Kajon, të cilën e ka autorizuar për të vepruar në emër të tij. Në këtë mënyrë, edhe pse në kërkim, Dauti ka bërë të mundur që kompania të funksionojë dhe të vijojë trafikun e kokainës nga Ekuatori në Durrës.
Me anë të Oksana Kajos, Dauti futi në lojë edhe Ermal Arapin, të cilin e emëroi si administrator, për të mos dalë vetë në skenë.
Nga muaji korrik e deri më sot, Eduart Dauti ka vijuar kontrollin e kompanisë së drogës përmes dy këtyre personazheve.
Po çfarë e lidh Eduart Dautin me Oksana Kajo dhe deri ku shtrihen lidhjet e Kajos?!
Për këtë do të flasim në vijim, por tani që SPAK ka nisur hetimet për vepra të rënda penale dhe hetim pasuror, Oksana Kajon është njeriu kyç për të shkuar në gjurmët e Dautit, i cili muaj më pari doli edhe në televizor duke thënë se pakot e kokainës ia kishin futur fshehurazi në kontenier.
Pas kësaj dalje të kordinuar me kokat e kokainës në Shqipëri, Dauti vijoi disa muaj aktivitetin e trafikut, ku iu kapën disa ngarkesa radhazi me kokainë.
Në këtë histori ka tre elementë të dyshimtë.
Së pari, policia është penguar nga një dorë e fuqishme për të arrestuar Eduart Dautin. Madje, ai është mbrojtur.
Së dyti, të gjitha ngarkesat e kokainës janë kapur në port, duke mos gjurmuar kokainën deri në destinacionin përfundimtar, çka do të nxirrte në skenë kokat e mëdha dhe të gjithë zinxhirin e trafikut.
Së treti, nuk është hetuar qëllimisht për lidhjet e Dautit me politikanët dhe njerëzit me pushtet që fshihen pas tij.
Nuk ka dyshim se Eduart Dauti është një bos i ekpozuar i trafikut të drogës, por ai nuk mund të sillte qoftë edhe një ngarkesë kokaine nga Ekuatori pa mbështetjen e njerëzve të fuqishëm me pushtet, të cilët fshihen pas tij. / Pamfleti