Një raketë hipersonike kineze zë në befasi SHBA-të

Pa Kategori

Publikuar: 17/10/2021

Një raketë hipersonike kineze zë në befasi SHBA-të

Një mjet hipersonik kinez me aftësi bërthamore është makthi i ri i shërbimeve të inteligjencës amerikane. Në gusht, një raketë me rreze të gjatë u dërgua në hapësirë, në një orbitë të ulët, një pajisje që bëri një xhiro rreth Tokës para se të zbriste te objektivi i vendosur për provën. Shënjestra u gabua me rreth tridhjetë kilometra, sipas amerikanëve, por problemi më alarmant është se përparimi i Kinës në armët hipersonike ka zënë në befasi shërbimet e inteligjencës.

“Ne nuk e kemi idenë se si ata arritën të kryejnë një test të tillë,” tha një burim për Financial Times.

Bombat hipersonike, të cilat fluturojnë pesë deri në gjashtë herë më shpejt se shpejtësia e zërit, deri në 6,200 kilometra në orë, konsiderohen “gjenerata e ardhshme” e armëve strategjike; ato janë krijuar për të vjedhur kohën e reagimit nga kundërshtarët dhe për të shpuar mbrojtjen kundër raketave.

Ndryshe nga raketat balistike, të cilat fluturojnë në lartësi shumë të mëdha me një trajektore harku para se të hyjnë përsëri në atmosferën e Tokës dhe të hidhen drejt objektivit, armët hipersonike fluturojnë në lartësi më të ulëta dhe mund të arrijnë objektivin e armikut më shpejt, madje edhe duke ndryshuar kursin. Ato janë një lloj rakete rrëshqitëse që me shpejtësinë e tyre, paparashikueshmërinë e rrugës dhe lartësinë e ulët të fluturimit mund të mposhtin sistemet e radarit që alarmojnë raketat anti-raketore me kalimin e kohës.

Një detaj tjetër operacional i zbuluar për Financial Times rrit shqetësimin e Uashingtonit: raketa kineze teorikisht mund të fluturojë mbi Polin e Jugut, duke dëmtuar mbrojtjen e Pentagonit që është e fokusuar në rrugën e Polit të Veriut. Konkluzioni i burimeve: Nëse shkencëtarët kinezë përfundojnë zhvillimin e sistemit hipersonik dhe Ushtria Çlirimtare Popullore e vë atë në linjë, kuadri strategjik do të “destabilizohej”.

Pentagoni u tregua I përmbajtur në lidhje me këtë zhvillim. Zëdhënësi John Kirby ndoqi linjën e zakonshme: “Ne jemi të shqetësuar për aftësitë ushtarake të Pekinit që përkeqësojnë tensionet në Azi dhe në mbarë botën, kjo është arsyeja pse ne e kemi quajtur Kinën sfida jonë numër një”, iu përgjigj ai një pyetjeje nga gazeta londineze.