Prapaskena

“Biznesi” i minave me telekomandë, në 10 muaj u sekuestruan 30 bomba me celularë

Publikuar: 13/10/2021

Prodhimi dhe shitja e minave të komanduara në distancë me celularë duket se po gjen terren ndërkohë që policia arreston vetëm transportuesit.

Kjo faktohet edhe nga shifrat ku nga fillimi i vitit janë sekuestruar rreth 30 bomba të tilla duke vënë në pranga në flagrancë personat që i dispononin.

Të paktën 15 shtetas janë arrestuar kryesisht nga Drejtoria e Policisë së Durrësit, Lezhës dhe Elbasanit për këtë vepër penale.

Nisur edhe nga informacionet dhe operacionet e zhvilluara nga autoritete, ku shpesh herë oficerët e policisë kanë qënë të kamufluar si blerës të tyre çmimi i një mine me një sasi të narmalë kap vlerën 3 mijë euro, nga rreth 1500 euro që ishte disa vite më parë.

Lëndët përbërse të saj si kapsollave detonatore, fitil zjarrpërcjellës sipas burimeve krijohen nga persona me njohuri të cilët pasi dorëzojnë porosinë nuk merren me shitjen e tyre duke mos u ekspozuar kështu ndaj policisë.

Personat e arrestuar me mina me telekomandë janë kryesisht nga zona e Krujës dhe Fushë Krujës, ku dyshimët e policisë janë se në atë zonë mund të ketë një magazinim të lëndëve plasëse dhe punishte të montimit të minave me telekomandë. Ato përdoren kryesisht për sulme me qëllim kërcënimin apo dhënien e mesazheve shpesh jo vetëm ndaj grupeve rivale por edhe policëve dhe zyrtarëve të drejtësisë.

Një ditë më parë policia arrestoi 34 vjecari nga Miloti, Paulin Deda, të cilit iu gjetën 2 mina me telekomandë gati për shitje.



Më të lexuarat