Jo vetëm kunati i Lulzim Bashës, por edhe Shkëlzen Berisha, i biri i Sali Berishës, merr para publike në mënyrë të tërthortë, përmes oligarkëve, të cilët kanë futur duart në buxhetin e shtetit, sigurisht me miratimin e Edi Ramës. Oligarku Klodian Allajbeu, një nga përfituesit kryesorë të parave publike me kompani guaska që shtrihen nga Berati deri në Holandë dhe offshore, ka gjetur një marifet për të paguar Shkëlzen Berishën, me paratë që merr përmes tenderave të dyshimtë nga ministrat dhe drejtorët e qeverisë aktuale.
Po si e paguan oligarku Klodian Allajbeu të birin e Sali Berishës? Gjatë një investigimi të ‘Prapaskena’ ka rezultuar se Klodian Allajbeu fshihet pas kompanisë “Agromel” me nipt: L59308601M, e cila merret me grumbullimin dhe përpunimit e frutave të pyllit, ndërsa aktivitetin e ushtron në një godinën pranë Gërdecit. Kompania “Agromel” është në pronësi të kompanisë ‘Agromark’ me nipt: L71903017K. Nga ana tjetër, kompania “Agromel” është në pronësi të kompanisë “VENDEKA EUROPEAN INVESTMENTS B.V.”.
‘Prapaskena’ ka zbuluar se “Agromark” është themeluar në 23 qershor 2017 nga Allajbeu, pronari i Spitalit Amerikan dhe i një rrjeti kompanish, përmes të cilave ka marrë koncensione publike si dhe kontrollon tregje monopoliste. Në 29 janar 2018, është larguar Klodian Allajbeu nga kompania ‘Agromark’ dhe aksionet i kanë kaluar kompanisë holandeze “Vendeka European Investments b.v”.
“Vendeka European Investments b.v” figuron e regjistruar në Holandë, pas të cilës fshihet sërish Klodjan Allajbeu, me 100 % të aksioneve. Emri i Vendeka-s dhe pronarit të saj është zbuluar rastësisht duke investiguar mbi abuzimet e Tregut Agro Ushqimor të Tiranës, ku Allajbeu i ka transferuar Vendeka-s, pra shoqërisë së tij në Holandë, aksionet e shoqërisë Agromark, pronare e 33% të Tregut të Tiranës. Vendeka figuron në të njëjtën adresë në Holandë me kompaninë Arimo B.V. e cila kontrollon shumicën koncesionit abuziv të hemodializës në Shqipëri. Pas Arimo B.V. fshihet sërish Allajbeu.
Po si del në skenë Shkëlzen Berisha?!
Në vitin 2017, Shkëlzen Berisha, ka deklaruar pranë Inspektoratit të Lartë Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive se është paguar me 24 mijë euro për shërbim konsulencë nga kompania “Agromel”, pra nga Klodian Allajbeu, i cili merr tendera dhe koncesioneve përmes një rrjeti kompanish të kamufluara. Nuk është rastësi që Sali Berisha nuk e ka sulmuar kurrë Klodian Allajbeun dhe Spitalin Amerikan as kur ishte në pushtet dhe as gjatë 8 viteve në opozitë.
Madje, Allajbeu është favorizuar nga të dy pushtet, ku përveç tenderave dhe koncesioneve, tregjeve dhe shërbimeve të tjera monopol, ka zaptuar edhe gjysmën e Spitalit Ushtarak.
Por, kjo pagesë është maja e ajsbergut. Klodian Allajbeu po ndihmon Shkëlzen Berishën edhe në pastrimin e parave të pista, kamufluar me një kredi me vlerë 1.8 milionë euro, të pajustifikuar dhe të çuditshme.
Në 24 dhjetor të 2018, Shkëlzen Berisha, përmes kompanisë ‘Logal’ sh.p.k, të cilën e zotëron me 100 % të aksioneve, ka marrë një kredi me vlerë 1.8 milionë euro pranë një banke të nivelit të dytë (Intesa Sanpaolo Bank Albania). Si garanci për këtë kredi, Shkëlzen Berisha deklaron se ka lënë 6 pasuri të paluajtshme (arë, troje dhe ndërtesa), të cilat thotë se i ka blerë me kredinë në fjalë.
Pasuria e paluajtshme ndodhet në Marqinet, një zonë çuditërisht ngjit me Gërdecin, simbol i krimit më të rëndë qeveritar në historinë e pluralizmit në Shqipëri, ku si protagonistë janë akuzuar Sali Berisha, Fatmir Mediu, Shkëlzeni, disa shokë të tij si dhe disa ministra e drejtorë nën komandën e tyre.
Vlera e pronave të lëna si kolateral nga Shkëlzen Berisha për kredinë nuk mbulon as 1/4 e vlerës së kredisë 1.8 milionë euro. Që në këtë moment është sfiduar drejtësia dhe barazia para ligjit.
Letrat çuditërisht Shkëlzen Berisha i ka noterizuar tek vajza e Gramoz Ruçit, Ridvana Ruçi, thua se kishte pak notere të tjera Shqipëria. Shkëlzeni i ka bërë noterizimet e kësaj lëvizje të madhe financiare pikërisht tek e bija e Ruçit, gjoja një kundërshtar politik i Sali Berishës.
Kjo nuk është lidhja e vetme e befasishme. Në bankën Intesa Sanpaolo Bank Albania, ku Shkëlzen Berisha ka marrë kredinë, ka një rol kyç Albina Mancuka, gruaja në letra e Arben Ahmetajt, i njohur ndryshe edhe si ‘Tigri’.
Nga ana tjetër, në godinat që ka blerë Shkëlzeni në Gërdec, ushtron aktivitetin pikërisht kompania “Agromel”, pas të cilët qëndron oligarku Klodian Allajnbeu. Ky i fundit, jo vetëm paguan Shkëlzen Berishës si konsultat për frutat e pyllit, por edhe i paguan qira marramendëse për godinat që Shkëlzeni ka blerë me kredinë 1.8 milionë euro. Pagesat janë një sajesë për të ndihmuar Shkëlzen Berishën në pastrimin e parave të pista që ka mbledhur kur në pushtet ishte babai i tij, Sali Berisha.
‘Logal’ sh.p.k është një kompani fantazmë me bilance të rreme dhe pa asnjë punëtor, ndërsa shpërben për qarkullimin e parave. Edhe pse pa asnjë punëtor, Shkëlzen Berisha deklaron çdo vit rreth 180 mijë USD fitime, duke sfiduar hapur SPAK-un dhe Drejtorinë për Parandalimin e Pastrimit të Parave.
Megjithatë, duke llogaritur edhe implikimin e Allajbeut, sërish Shkëlzen Berishës nuk i dalin llogaritë për të paguar këstet e kredisë 1.8 milionë euro.
Për të marrë një kredi prej 1.8 milionë eurosh, duhet të kesh të ardhura marramendëse. Nëse shkon pranë një banke të nivelit të dytë, më konkretisht pranë Intesa San Paolo, ku Shkëlzen Berisha ka aplikuar për kredi, atëherë kjo kredi lëvrohet si biznes, për 5 vite.
Po të bëjmë një përllogaritje, duke marrë interesin prej 5 % për biznes, për kredinë 1.8 milionë euro, atëherë Shkëlzen Berisha i bie të paguajë mbi 35 mijë euro çdo muaj këstin e kredisë. Dhe për të paguar këtë kredi, duhet të kesh mbi 150 % të kësaj shume, pra rreth 50 000 euro në muaj ose 600 mijë euro në vit.
Pra, nuk ka dyshime se kemi të bëjmë me një skemë të pastër dhe banale pastrimi parash, me protagonist kryesor Shkëlzen Berishën, ndërsa të përfshirë drejtpërdrejt janë Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe oligarku Klodian Allajbeu, i cili kanalizon në llogaritë e tij paratë publike me tendera dhe koncesione klienteliste. / Prapaskena