Krisja në PS / Rama kërcënon Ballën dhe Braçen me përjashtim nga partia, ja mesazhi; frikë nga pasojat në zgjedhjet lokale

Pa Kategori

Publikuar: 02/10/2021

Krisja në PS / Rama kërcënon Ballën dhe Braçen me përjashtim nga partia, ja mesazhi; frikë nga pasojat në zgjedhjet lokale

Ndarja e pushtetit nga Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë ka krijuar pakënaqësi të mëdha dhe rebelime në PS. Babloku i trembet sabotimit të zgjedhjeve nga të pakënaqurit.

Erion Braçe, pasi përmbysi karrigen e zëvendës/Kryeministrit, është shndërruar në opozitën kryesore të Qeverisë së Edi Ramës, përmes kritikeve të përditshme shigjetuese, duke vënë në pah dështimin e gjithanshëm të qeverisjes. Nga ana tjetër, Taulant Balla, i vetmi që kujtoi datëlindjen e Fatos Nanos, po lufton në prapaskenë kundër Edi Ramës, pasi ky i fundit e shkarkoi nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, duke e zëvendësuar me Damian Gjiknurin.

Rama i dha një goditje të dyfishtë Taulant Ballës pasi e largoi edhe nga Elbasani, të cilin e kishte kthyer si Tom Doshi Shkodrën. Balla kontrollonte në Elbasan punësimet, tenderat dhe çdo projekt e para. Edhe pse Taulant Balla ka nisur ta kamuflojë zemërimin dhe po tregohet i kujdesshëm me deklaratat publike, Edi Rama i ka dhënë ditën e fundit Ballës një mesazh të drejtpërdrejtë, duke e kërcënuar me përjashtim nga partia.

Mesazhin, Edi Rama ia ka dhënë Ballës përmes Damian Gjiknurit, i cili tashmë është më afër Ramës. Gjiknuri paralajmëroi Ballën që të mos hidhte dëm të gjithë investimin e tij politik në PS. “Balla ka bërë një punë të mirë në Elbasan, tani është vendosur në një qark tjetër për të drejtuar, sepse kjo është bërë edhe për arsye të politikave të PS-së brenda partisë, për një rifreskim të qarqeve. Taulanti ka aq eksperiencë politike sa të mos e hedhë dëm të gjithë investimin e tij politik në PS vetëm për një moment të caktuar”, tha Gjiknuri.

Por, sigurisht që mesazhi nuk ishte vetëm për Taulant Ballën, të cilit edhe pse Rama i ka minuar interesat, nuk ka bërë deklarata në publik kundër Ramës.

Mesazhi i Ramës përmes Gjiknurit i adresohet edhe Erion Braçes, i cili është kthyer në një shqetësim për Qeverinë. Disa ditë më parë, Braçe akuzoi Qeverinë ‘Rama’ për dështim në bujqësi, duke pohuar se për 6 muaj kanë ikur 29 mijë punëtorë.

Ndarja e posteve qeveritare dhe partiake nga Edi Rama, në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, ka prodhuar edhe pakënaqësi dhe rebelime të tjera në PS, ndonëse konflikti nuk ka plasur ende në publik, me përjashtim të rastit të Shkodrës, ku deputetë dhe kryetarë bashkish akuzojnë Edi Ramën se i ka dorëzuar Shkodrën Tom Doshit, duke paralajmëruar pasoja në zgjedhjet lokale.

Dhe Edi Rama i trembet pikërisht reflektimit të përçarjeve në rezultatin e zgjedhjeve lokale, ku të pakënaqurit nga ndarja e pushtetit mund të sabotojnë partinë. /Pamfleti