Lufta me Becchetin, Arbitrazhi rrezikon buxhetin shqiptar, sa pagoi qeveria për gjyqet e humbura

Pa Kategori

Publikuar: 27/09/2021

Lufta me Becchetin, Arbitrazhi rrezikon buxhetin shqiptar, sa pagoi qeveria për gjyqet e humbura

Gjyqet humbura nga qeveria shqiptare në Arbitrazh rrezikojnë ndjeshëm buxhetin e shtetit. Sipas një raporti financiar, të depozituar nga qeveria shqiptare në Parlament mbi buxhetin faktik mbi shpenzimet e kryera të buxhetit për vitin 2020, rezulton se një pjesë e mirë e pagesave kanë shkuar për gjyqet në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Sipas këtij dokumenti të siguruar nga Gazeta Shqip rezulton se “Vlera e Arbitrazhit e paguar nga buxheti i shtetit shqiptar për vitin 2020 arriti 33.3 milionë lekë dhe të gjitha vendimet janë përballuar nga buxheti i ministrive të linjës, të cilat kanë qenë palë e paditur”.

Nga këto rezulton se 1.5 milionë lekë janë paguar nga Ministria e Infrastrukturës për likuidimin e faturave të shërbimeve juridike për mbrojtjen në çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar.

“8.694 milion lekë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për pagesën e kostove administrative të Tribunalit. 23.1 milion lekë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për pagesën e shërbimeve juridike dhe procesin e anulimit të një vendimi arbitrazhi.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në vazhdimësi dhe me këmbëngulje, ka rekomanduar forcimin e rolit negociues të institucioneve buxhetore dhe Avokaturës së Shtetit në çështjet e kësaj natyre, si edhe disiplinimin e procesit të shlyerjes financiare të përfituesve. Kjo, me qëllimin final të lehtësimit, reduktimit dhe/ose shmangies së barrës financiare mbi buxhetin e shtetit.

Por vetëm së fundi qeveria shqiptare detyrohet të paguajë plot 110 milionë euro për biznesmenin italian Francesko Beccheti.

Kjo pasi mbyllja e televizionit Agon Channel u konsiderua e padrejtë. Vetë kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama ka përsëritur disa herë se fjala e fundit për çështjen Beccheti nuk është thënë ende dhe se sipërmarrësi italian nuk do marrë asgjë nga Shqipëria, por tashmë detyrimi është kthyer në fakt

Një tjetër shumë prej 44 milionë dollarësh është humbur përballë kompanisë që do të ndërtonte autostradën Tiranë-Elbasan. Këto fatura do të rëndojnë më shumë arkën e shtetit shqiptar, duke rrezikuar mos kryerjen e disa prej investimeve apo të shtimit të borxhit publik me qëllim për të shlyer gjobat e majme të vendosura nga Gjykata e Arbitrazhit.