Presidenti turk, Recep Taip Erdogan tha në OKB se marrëdhëniet e Turqisë me SHBA po shkojnë drejt tensionimit të mëtejshëm, ndërsa kërcënoi se nëse nuk e bëjnë pjesë të programit të avionëve të pakapshëm nga radarët, Ankaraja do të shohë alternativa të tjera.
Erdogan e tha publikisht se marrëdhëniet me administratën e Presidentit Joe Biden, nuk kishin “nisur mirë”.
Mediat turke citojnë Erdoganin duke thënë “se problemet e kanë bazën te zemërimi i SHBA-së pasi Turqia bleu sistemet mbrojtëse të raketave S-400 nga Rusia”.
“Sa u takon raporteve turko-amerikane nuk mund të them se po zhvillohet një proces i shëndetshëm”, u tha presidenti turk gazetarëve kur doli nga debati i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump vendosi sanksione ndaj industrisë së mbrojtjes turke për shkak të blerjes së sistemit rus. Këto sanksione janë ende në fuqi. Disa ekspertë vlerësojnë se sistemi S-400 përbën rrezik për avionët F-35 të NATO-s dhe SHBA-së.
Turqia ka qenë partnere në prodhimin e këtyre avionëve.
“Kemi blerë F-35, kemi paguar 1.4 miliardë dollarë dhe ata nuk na janë dhënë ende”, tha Erdogan, duke shtuar se kjo është çështja e parë që duhet të zgjidhet nga Shtetet e Bashkuara.
Marrëdhëniet janë përkeqësuar edhe nga vendimi i Joe Biden për të njohur si gjenocid vrasjen e armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore nga ana e Perëndorisë Osmane, ndërsa ka kritikuar Turqinë për mosrespektim të të drejtave të njeriut.