Prapaskena

“Ai na gënjeu të gjithëve”/ Davide Pecorelli jetoi në Vlorë deri më 12 shtator, miqësia me ish-futbollistin, çfarë iu premtoi kur u largua nga Shqipëria

Publikuar: 22/09/2021

TIRANË– Historia e Davide Pecorellit është një temë ‘e nxehtë’ për mediat shqiptare dhe italiane. Pasi u bë i gjallë, u zbulua se ai jetonte në Vlorë, aty ku shtirej si një shkrimtar. Jetesa në qytetin bregdetar të Shqipërisë, nisi nga muaji mars deri në 12 shtator. Me emrin Cristian, ai jetoi në Vlorë duke hequr të gjitha dyshimet se mund të ishte biznesmeni italian që mendohej se kishte vdekur në Pukë. Pecorelli kishte krijuar miqësi me një ish-futbollist të Vlorës si dhe me pronarë biznesesh të zonës.

“Ai na gënjeu të gjithëve“, thonë miqtë shqiptarë. Biznesmeni i përshëndeti miqtë e tij më 12 shtator, duke iu thënë se do të kthehej në Itali për të rregulluar disa dokumente mirëpo nuk u kthye më. Ai udhëtoi me një minibus së bashku me një grup pelegrinësh në Romë, pastaj me tren për në Grosseto, pastaj në ishullin Giglio ku mori me qira një dhomë me një emër tjetër të rremë, Giuseppe këtë radhë me profesion gjeolog.

Shumë versione, shumë identitete, dhe gënjeshtra deri në momentin që u kap nga karabinierët në gomone në ishullin Elba.

Pecorelli u ‘ringjall’ më datë 18 shtator, tetë muaj pas zhdukjes së tij në Shqipëri, më 6 janar të këtij viti. Biznesmeni la pas makinën e tij të marrë me qira të djegur në Pukë, me një sasi eshtrash brenda, të cilët nuk dihet ende kujt i përkasin. 45-vjeçari u zbulua pasi tërhoqi para me kartën e tij, duke dhënë kështu sinjalin e parë për autoritetet. Dy ditë më vonë, gomonia me të cilën udhëtonte në një ishull të Italisë mori flakë dhe iu dogj motorri, kështu që Pecorelli kërkoi ndihmë dhe përfundoi në duart e autoriteteve. Ai është marrë në pyetje nga prokuroria dhe e vetmja gjë që ka deklaruar për mediat është se fokusi i tij janë fëmijët. Nga ana tjetër, prokuroria e Pukës ka ngritur akuza për të.



Më të lexuarat