Për gazetarin e ekonomisë, Klodian Tomorri, Programi i Mirëqenies për të Gjithë, që u prezantua nga qeveria Rama sot, ka disa pika të paqarta. Në studion e MCN TV, Tomorri tha se pavarësisht se nuk detajon si do të arrihen disa prej objektivave të tij, programi i ri qeverisës ka disa objektiva të matshëm. Një nga ndërhyrjet domethënëse sociale, që nuk është realizuar pavarësisht premtimeve në dy mandatet e para, sipas Tomorrit, është shëndetësia falas.
Premtimet për rritje pagash dhe pensionesh kanë qenë që në vitin 2017. A është programi i ri një program më social? Krahasuar me programin e vitit 2017, kemi të bëjmë me një program që ka më shumë objektiva të matshëm. Ka disa masa apo ndërhyrje të cilat synojnë të prekin dimensionin social. Kusht është që kjo rritje të shpërndahet. Ajo që ka ndodhur është se kjo rritje ka shkuar për shtresën e lartë. Mendoj se ka disa pika apo zotime të qeverisë që prekin karakterin social të shtetit. Rritja e pensioneve, pensionistët janë shtresa më vulnerabël. Mbetet i pasqaruar mirë nga kur fillon të zbatohet dhe çfarë nënkupton qeveria me familjet e reja. Flitet edhe për strehim social ku do të ketë më shumë investime. Mbetet problematikë dhe do të ishte një nga masat më të goditura sociale targetimi i familjeve për shërbim shëndetësor. Ka pasur premtim për shëndetësinë falas, por nuk u realizua as në mandatin e parë dhe as në të dytin. Nëse do të duhet të kishte një ndërhyrje domethënëse sociale, do të duhej të ishte në këtë drejtim.
Tomorri thotë se objektivi i uljes së borxhit publik në 60% do të jetë i vështirë për t’u realizuar, kjo sepse do të kërkonte një rritje ekonomike dyshifrore.
Borxhet publike dhe deficitet janë rritur në të gjitha vendet, për shkak të krizës shëndetësore dhe bllokimit ekonomik. Veç pandemisë, Shqipëria u godit edhe nga tërmeti. Edhe kjo kërkoi një masë apo fonde nga buxheti që u financuan me borxh. A mund të ishte përdorur më mirë ky borxh? Ka debat. Një pjesë e familjeve nuk kanë parë asnjë ndihmë nga qeveria në një kohë kur vendi ka hyrë në borxh. Janë 15 pikë përqindje rritje e borxhit. Ulja e borxhit në nivelin 60 do të kërkonte rritje ekonomike në rendin dyshifror, mënyra më e mirë kjo është. Me rritje ekonomike më të ulët, ulja e borxhit do të kërkonte masa të jashtëzakonshme rritje taksash dhe ulje shpenzimesh, por kjo do të çonte në rënie të ekonomisë.