Para ministrisë së Brendshme u zhvilluan protesta për vrasjen e Sabrina Bengajt nga ish-bashkëshorti i saj, Elton Metaj.
Në protestë i pranishëm ishte edhe vëllai i 23-vjeçares, Armando Bengaj, i cili bëri fajtorë autoritetet e drejtësisë që e lanë të lirë.
Sipas tij, ish-kunati ka qenë një dhelpër, që ia punoi prapa krahëve.
“Ata janë fajtorët që e nxorën nga burgu atë. Edhe ai doktori në burgun e Zaharisë që gjoja ka qenë i sëmurë, ai ka qenë një dhelpër që diti ta luajë mirë rolin. Na i punoi shumë bukur, neve. Na i punoi mbrapa krahëve”, tha Armando Bengaj për News24.
Me pankarta në duar dhjetëra qytetarë kërkojnë të vihet drejtësi për vrasjen. Po ashtu ata kërkojnë të merren masa për gratë që janë dhunuar, dhe drejtësi për gratë që janë vrarë nga bashkëshortët.
Protesta në kryeqytet nisi rreth orës 18:00 te Ministria e Brendshme, pranë zonës së pedonales. Disa nga mesazhet në pankartat e protestuesve janë: “Përgjegjësi për vrasjen e Sabrinës”, “Ngremë zërin dhe kërkojmë përgjegjësinë për çdo viktimë”, “Vrasja e grave është pandemi. Ku janë vaksinat?”, “Bëhu burrë, divorcohu!”