PD ndahet pro dhe kundra SHBA, deputetët pro Berishës për rrëzimin e Bashës drejt shpalljes “non grata”, po minojnë projektin amerikan

Pa Kategori

Publikuar: 14/09/2021

PD ndahet pro dhe kundra SHBA, deputetët pro Berishës për rrëzimin e Bashës drejt shpalljes “non grata”, po minojnë projektin amerikan

Shpërthimi i paparashikueshëm në publik i konfliktit mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës po kristalizon përfundimisht grupin anti-amerikan në Partisë Demokratike.

Sali Berisha kërkon ndëshkimin dhe shkarkimin e Lulzim Bashës, duke e akuzuar se i ka dorëzuar amerikanëve sovranitetin e Partisë Demokratike.

Berisha i referohet vendimit të Lulzim Bashës për ta përjashtuar atë nga grupi parlamentar i PD-së dhe nga partia, në zbatim të ultimatumit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u ndarë një herë e përgjithmonë nga Berisha dhe trashëgimia e tij.

Berisha akuzon Lulzim Bashën se e ka tradhtuar dhe e ka shitur tek amerikanët, duke pretenduar se Basha e përjashtoi nga partia, për të nxjerrë veten e tij nga lista e zezë.

Sali Berisha është betuar për hakmarrje dhe ka nisur aksionin për shkarkimin e Lulzim Bashës, duke vijuar në këtë mënyrë betejën kundër SHBA.

Që pasditen kur Basha përjashtoi Berishën dhe ky i fundit i shpalli luftë menjëherë, Partia Demokratike ka nisur të ndahet në dy grupe të mëdha, njëri në krah të Bashës, tjetri në krah të Berishës.

Më shumë se sa një ndarje në krah të Bashës dhe Berishës, Partia Demokratike po ndahet në dy linja, pro-amerikane dhe anti-amerikane.

Deputetët e Partisë Demokratike, të cilët po rreshtohen në krah të Berishës, për të përmbysur Bashën dhe për ta kaluar PD-në edhe një herë në duart e Berishës, praktikisht po i kundërvihen SHBA.

Ky grup deputetësh dhe anëtarë të strukturave të PD po minojnë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të çliruar Partinë Demokratike nga Sali Berisha dhe familja e tij.

Gjatë tre ditëve të para të konfliktit Berisha-Basha, janë rreshtuar në krah të Berishës, Edi Paloka, Flamur Noka i cili gati sa nuk e dhunoi fizikisht Bashën, Bujar Leskaj, Tritan Shehu dhe Oerd Bylykbashi.

Këta personazhe të deklaruar pro Berishës dhe të tjerët që qëndrojnë në hije, janë kandidatë potencialë për t’u shpallur ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi po i kundërvihen projektit amerikan për të përmbysur pas 30 vitesh klasën politike të korruptuar të Tiranës.

Sali Berisha nuk synon të rikthehet vetë në krye të PD-së, por synon të shkarkojë Lulzim Bashën dhe të emërojë një ushtar të besuar, të cilin mund ta komandojë lehtësisht, siç e komandoi për disa vite në fakt edhe vetë Bashën, deri kur ky i fundit, disa ditë më parë vendosi të bashkohet me Perëndimin.

Nëse Berisha përmes grupit të tij anti-Perëndim arrin të realizojë këtë skenar, për të rimarrë PD-në, atëherë edhe Partia Demokratike rrezikon të shpallet “non grata”, duke marrë fund si Partia e Punës e para 30 viteve./Pamfleti