Nga Adriatik Balla
Në Shqipëri ka shumë qafa malore, por afërsisht 10 janë ato që kanë rëndësi themelore në qarkullim dhe lidhjen e zonave me njëra-tjetrën, të tilla si qafa e Kërrabës mes Tiranës dhe Elbasanit, qafa e Thanës midis pellgut të Ohrit dhe atij të Përrenjasit, qafa e Muzinës që lidh Gjirokastrën me Sarandën, qafa e Malit që lidh malësinë Pukë-Mirditë me pellgun e Kukësit, qafë Morinin që lidh pellgun e Kukësit me atë të Prizrenit, qafa e Qarrit, që lidh pellgun e Korçës me atë të Kolonjës etj.
Qafa të tilla unë do t’i konsideroja të kategorisë së parë, jo vetëm për tiparet morfologjike, por më së pari për rëndësinë e tyre në komunikimin ndërmjet zonave të ndryshme.
Në kuadër të qafave, ajo e Buallit, që lidh pellgun e Dibrës në lindje me atë të Matit në perëndim, është nga më të rëndësishmet, e dëshmuar kjo edhe në kohë historike.
Qafa e Buallit ndodhet në perëndim të qytetit të Bulqizës, në kuotën 845 m mbi nivelin e detit.
Është formuar përgjatë një shkëputje të madhe tektonike që ndërpret tërthor strukturën magmatike ultrabazike të Bulqizës, shprehur në reliev me Balgjain në veri (2101 m) dhe Dhoksin në jug (2020 m). Pra kjo qafë ka origjinë tektonike. Ajo shërben si kufi ndarës midis luginës së Bulqizës në lindje dhe asaj të Planit të Bardhë në perëndim.
Luginat në fjalë kanë origjinë të njëjtë, por drejtim të kundërt zhvillimi dhe tipare të ndryshme morfologjike, sidomos në aspektin morfometrik, por edhe pjesë e pellgjeve ujëmbledhës të ndryshëm (Drini i Zi dhe Mati).
Me pak fjalë, qafa e Buallit, merr tiparet e një pragu strukturor ndërmjet dy luginave që kanë origjinë të njëjtë, me lartësi relative nga 100-200 m kundrejt tyre.
Në lidhje me tiparet e tjera fiziko-gjeografike mund të shtojmë se në këtë qafë fryn shumë erë, sidomos murlani në dimër.
Temperaturat janë të ulëta e madje edhe në korrik nuk i kalojnë 20-25 gradë celcius, bie shumë borë (shquhet në të gjithë vendin për këtë), ndërtohet tërësisht nga shkëmbinj ultrabazik që në këtë sektor janë të copëzuar si pasojë e brezit të shkatërrimit që krijon shkëputja tektonike e lartpërmendur.
Shpatet janë shumë të pjerrtë, gjë që lidhet jo vetëm me fortësinë e shkëmbinjve ultrabazikë, amplitudën e madhe të ngritjeve tektonike plio-kuaternare (shprehur në reliev me lartësi relative 1000-1300m, por edhe me pjerresinë fillestare të planit të shkëputjeve të blloqeve horstike kufizuese. Bimësia është e varfër, kryesisht dushqe, por ka dhe pishë të kultivuar.
Kjo qafë shërben edhe si kufi ndarës administrativ midis Bashkisë së Bulqizës në lindje dhe Bashkisë së Klosit në perëndim.
Lartësia absolute e saj është relativisht e vogël, por pozicioni e bën atë të pakrahasueshme, me peshë në zhvillimet historike, politike e ushtarake.
Karakteri i saj strategjik është dëshmuar që në antikitet, si rruga më e shkurtër lidhëse midis lindjes e perëndimit, pra midis bregdetit Adriatik dhe pellgut të Pelagonisë në Maqedoni.
Rëndësi të madhe ajo mori gjatë shkëlqimit 25-vjeçar të Skënderbeut në luftërat e shumta që ai pati ndaj Perandorisë Osmane në shekullin XV, ku qafa e Buallit ishte pika kritike fundore, ku turqit osmanlinj nuk e fituan kurrë.
Vetë Skënderbeu, e ka përdorur qafën si bazën e tij në dy betejat e famshme të Vajkalit më 1465.
Madje Barleti, nëse besojmë se ai ka qenë vërtet “spektator i lumturisë së dikurshme”, kur përshkruan ngjarjet e betejës së parë të Vajkalit, shprehet ndër të tjera: “Kampi i Skënderbegasve ishte në një luginë të këndshme e të hapur, që zgjatej përpara dhe e kishte emrin Valkal”.
Me pak fjalë, në vetëm një fjali, kuptojmë që ky konstatim, bëhet evident dhe sot në terren kur udhëton nga Klosi drejt Bulqizës dhe ngjitesh në qafën e Buallit, aty ku horizonti hapet përpara (drejt lindjes) me një luginë që krijon një pamje befasuese e të bukur, apo “të këndshme”, siç thotë Barleti (shih “Historia e Skënderbeut”, shqipëruar nga S.Prifti, botuar nga “Infbotues”, 2005, fq.446).
Edhe pas shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar më 1912, serbët e kishin pikësynim marrjen e saj, duke kuptuar rëndësinë që ajo kishte për të kaluar në perëndim të vendit. Edhe pse u afruan në Vajkal, ata kurrë nuk arritën ta merrnin qafën e Buallit.
Në çdo kohë, marrja e saj nga lindja nënkuptonte depërtimin në perëndim deri në Durrës. Pra ajo ka karakter strategjik në gjeopolitikën e rajonit.
Me fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon, kjo qafë bie në “qetësinë” e saj. Por rëndësia merr një tjetër karakter, atë ekonomik e social, si dhe didaktik.
Qafa e Buallit, është një prej pikave kyçe në rrugën e Arbrit dhe me projektin e ri të rrugës (që shpresojmë të mbyllet sa më shpejt), depërtimi në këtë qafë do të bëhet nëpërmjet një tuneli disa qindra metra.
Nëpërmjet kësaj qafe, kanë kaluar njerëzit, ushtritë, mallrat, idetë, e sidomos kromi i famshëm i Bulqizës.
Nga Bulqiza e vjetër, duke kaluar nëpër qafën e Buallit, urën e Vashës në Klos, Gurëbardhë, qafë-Murrize e shkallë të Tujanit, të parët tanë kanë bërë tregti në Tiranë, një udhëtim që zgjaste 12-15 orë dhe vajtje-ardhje nga Tirana 2 ditë. Me rrugën e re, autobusi me studentë që do të niset nga oborri i Katedrës së Gjeografisë në Tiranë, do të mbërrijë në qafë të Buallit për maksimumi 40 minuta dhe atje do të kenë para syve një laborator të madh të Gjeomorfologjisë, por edhe të Gjeologjisë, Turizmit, Transportit etj.