Dokumenti që po publikojmë i përket muajit mars të vitit 1973 dhe ai është një raport-informacion, me siglën “sekret” i përpiluar nga Sektori Edukimit i Komitetit Qendror të PPSH-së, që mban firmën e Dhimitër Xhoxhi (instruktor në aparatin e Komitetit Qendror të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë), i cili i dërgohet Pirro Kondit, që asokohe mbulonte këtë sektor, pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe bën fjalë për mbledhjet e zhvilluara në organizatën profesionale të Teatrit Popullor dhe Institutit të Lartë të Arteve.

Të gjitha këto raport-informacione, janë parë nga Enver Hoxha, Ramiz Alia etj., nga udhëheqja e lartë, gjë e cila duket edhe nga shënimet që ata kanë lënë mbi këto dokumente.
Të gjitha këto mbledhje zhvilloheshin në kuadrin e fjalës që kishte mbajtur Enver Hoxha në datën 15 mars të atij viti, në mbledhjen e zgjeruar të komunistëve të aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku si çështje kryesore ishte: “Shfaqjet e huaja e liberale dhe ndikimet e tyre në art, kulturë, letërsi…”, fjalë e cila vinte vetëm pak kohë pas fjalës së Enver Hoxhës e mbajtur më datën 9 janar të atij viti, në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku ai për herë të parë kishte kritikuar dhe anatemuar Festivalin e 11-të Kombëtar të Këngës në Radio Televizion.
Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve asokohe, ashtu si në të gjitha institucionet artistike dhe kulturore të Tiranës e mbarë vendit, janë zhvilluar edhe këto mbledhje në Teatrin Popullor dhe Institutin e Lartë të Arteve, gjë e cila bëhet e ditur në këtë dokumenti, ku shkruhet: “Informacion nr. 10 mbi punimin e fjalimit të shokut Enver të 15 marsit 1973, në organizatën profesionale të ndërmarrjeve dhe institucioneve”,
Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, mbledhjet kanë qenë mjaft të acaruara, me debate, akuza dhe denoncime nga ana e pjesëmarrësve, jo vetëm ndaj njëri tjetrit, por edhe ndaj eprorëve të tyre, ku në fokus ishte Fadil Paçrami, sekretari i Komitetit të Partisë për Tiranën, që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën e partisë.
Ato mbledhje që vazhduan gjatë, pasi në dosjen voluminoze përkatëse ka mbi 10 informacione, ishin iniciuar nga lart (Enver Hoxha), vetëm për të goditur Paçramin, i cili kritikohej dhe akuzohej kryesisht për: “prirje liberale” dhe “devijim të vijës së partisë në Art e Kulturë”, gjë e cila duket qartë dhe nga ky dokument, ku në Teatrin Popullor kritikohen, sulmohen e goditen, dy drejtuesit kryesorë të atij institucioni, Riza Hajro dhe Bardhyl Kosova, duke u akuzuar si njerëz dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Paçramit, ndërsa në Institutin e Lartë të Arteve, fokusi i sulmeve ishte drejtuar ndaj regjisorit dhe pedagogut të njohur, Kujtim Spahivogli, i cili gjithashtu akuzohej si bashkëpunëtor i ngushtë i Paçramit.
Relacioni dërguar Pirro Kondit në Komitetin Qendror të PPSH-së
Shokut Pirro Kondi
Komitetit Qendror PPSH-së
Tiranë
Me porosi të shokut President, ju dërgoj informacionin mbi punimin e fjalimit të shokut Enver në organizatën profesionale të Teatrit Popullor dhe Institutit të Lartë të Arteve
7/4/1973 Me respekt
Dhimitër Xhoxhi
Shënimi i zv/ministrit të Arsim-Kulturës, Mantho Bala, për Ramiz Alinë
Shoku Ramiz
Nuk e di në jeni informuar dhe në rrugë tjetër, për këtë mbledhje. Mua m’u dukën interesante, prandaj po ua dërgoj. S’di çka parasysh, K. Trako? Në kuadrin e gjithë të tjerave, sh. Hamid mendoj. Po të duhet të ndjekë me dikasteret marrjen e masave për forcimin e gjendjes në Theatër dhe Institutin e lartë të Arteve.
Mantho Bala
7/ 4/ ’73
Raport-informacioni i zv/ministrit të Arsim Kulturës, Mantho Bala, dërguar Ramiz Alisë, mbi mbledhjet e zhvilluara në Teatrin Popullor dhe Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë
INFORMACION Nr. 10
MBI PUNIMIN E FJALIMIT TË SHOKUT ENVER TË 15 MARSIT 1973 NE
ORGANIZATËN PROFESIONALE TE NDERMARRJEVE DHE INSTITUCIONEVE
Në Teatrin Popullor
Shqetësimet e komunistëve dhe punonjësve në vija të përgjithshme, u dukën në këto drejtime:
Aty përmenden disa emra si Llazar Filipi, Pjetër Gjoka, Ndrek Luca, Violeta Manushi, Behie Çela, etj. U tha se lista ishte përgatitur pas shpine të sh. Manush, i cili e kishte dënuar këtë veprim në një mbledhje me komunistët. Mbas kësaj, Fadili i thotë Riza Hajros, ish-drejtor, që pse nuk e mohove listën, këtë fjalë e përsëriti dhe Bardhyl Kosova, ish-instruktor në Komitetin e Partisë. Çështja e listës paraqiste një shqetësim të veçantë nga diskutantët. Për të pakësuar rezistencën e aktorëve të vjetër, Fadili kishte dhënë porosi: “Jepuni rrogën dhe le të rrinë në shtëpi, vetëm në teatër të mos vijnë”.
Regjisor njihte vetëm Kujtim Spahivoglin. Shoku Manush i ka thënë se Fadili synonte që edhe emri i teatrit të hiqet, e të mos quhet Teatër Popullor. Teorizonte se jashtë teatrot mbajnë emrat e dramaturgëve të mëdhenj. Violeta Manushi tregoi se si në 25 vjetorin e Teatrit, Thoma Deliana ngriti dolli për ata që prenë shiritin e Teatrit Popullor (veteranët), ndërsa Fadili i’u përgjigj: “Jo, unë do ta pi për ata që do të vijnë në këtë Teatër”.
Këtu shoku Manush dha porosi të fillohet nga puna, u vendos të vihet drama “Marga”, por të nesërmen në oborr u duk Fadili i cili i vuri krahun Rizait dhe “Marga”, megjithëse për të u punua rreth 2 muaj, ajo nuk doli në skenë. Fadili mbante lidhje direkte me drejtorin Rizanë dhe më vonë Bardhylin, për organizatën e Partisë as që pyeste ndonjëherë.
Këshillin artistik e caktonte vetë pa marrë pëlqimin e Byrosë. Përsëriste hiqni vjetërsirat. Në mbledhjen e kolektivit kur u shkarkua Riza Hajro, ai u shpreh, Ja Rizanë po heq, madje po e gradoj, tani mjaft keni dërdëllitur. Ju solla krahun e djathtë (Bardhylin).
Është hequr nga Fadili si i verbër. Tërë kohën rrinte jashtë. Violeta Manushi u shpreh tekstualisht, Në qoftë se me Rizanë, grindeshim për punët që s’shkonin mirë, Bardhylin s’e gjenim as ta shanim, nga vinte dhe nga shkonte se marrim vesh. Kur ishte në Kosovë ka shpërdoruar arkën e shtetit, ka bërë allishverishe me disa persona kosovarë, ka pranuar prej tyre peshqesh për gruan dhe për fëmijët nga një person tjetër ka pranuar edhe para. Ka bërë deklarata në shtyp pa dijeninë e organizatës së Partisë.
Në Shqipëri i dha Azem Shkrelit, një dorëshkrim të tijin (monografi e Brehtit). Këto gjëra i pranoj edhe vetë në autokritikën e tij. Për Riza Hajron u tha se në fillim nuk kishte aftësi dhe qe bërë vegël e plotë e Fadilit. Por edhe më vonë ai prapë nuk mund të shkëputej. Mban përgjegjësi të plotë për mosmarrëveshjet midis të vjetërve e të rinjve. Mban përgjegjësi për papunësi në Teatër. Shumë aktorë mbetën muaj të tërë pa u aktivizuar.
Ashtu si Bardhyli edhe Rizai nuk dëgjonin zërin e masës. Organizata e Partisë vendosi për Bardhyl Kosovën vërejtje të rëndë në kartën e regjistrimit dhe propozoi të shkarkohet si drejtor. Në mbledhje asistonte ekipi i Komitetit Qendror të Partisë dhe një shok nga Ministria e Arsim-Kulturës. U bënë vërejtje për organizatën profesionale, se nuk ka funksionuar. Mbledhja vazhdoi nga data 3-6 Prill gjithë paraditen. Unë asistova me datën 3 dhe 4. /Memorie.al