Prapaskena

Rama i jep sot fund të gjitha listave me ministra “në letër”, pritet të bëjë publikë emrat e qeverisë së re. Kush e ka bërë “gjumin e qetë” (Axhenda e Asamblesë)

Publikuar: 02/09/2021

Paraditen e sotme Pallati i Kongreseve do të ‘pushtohet’ nga socialistët të cilët kanë thërritur mbledhjen e Asamblesë së tyre, e ku pritet që të hidhen piketat e qeverisjes në katër vitet e ardhshëm, në mandatin e tretë radhas për partinë e drejtuar nga Edi Rama.

Ky i fundit, pritet që t’iu japë fund të gjitha skemave dhe listave me emra ministrash që janë në qarkullim, duke bërë të ditur dhe anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar, që për shumë analistë dhe njohës të politikës më shumë do të jenë ndryshime në formë sesa në përmbajtje.

Mbledhja do të nisë në orën 10:00, ku pjesa kryesore padyshim që do të jetë ajo e fjalës së Ramës, ndërsa më pas do të kalohet në zgjedhjen e kryesisë së re të PS-së, si dhe drejtuesit politik të qarqeve dhe sekretariatit të partisë.

Emrat që duket se derimë tani do ta keni bërë gjumin e qetë janë padyshim Elisa Spiropali dhe Taulant Balla, që sipas Ramës do të konfirmohen në funksionet e tyre, njëra si ministre për marrëdhëniet me parlamentin dhe tjetri si kryetar i grupit parlamentar.

Ndërkohë që dy ministre të tjera u vlerësuan pozitivisht disa ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, Belinda Balluku dhe Ogerta Manastirliu , të cilat po ashtu presin konfirmimin në detyrat e tyre, ndërsa numri 1 i qeverisë ka qenë jo fort i kënaqur me punën e Ministrisë së Turizmit dhe asaj të Arsimit.

Ajo që është e përbashkët në listat paraprake të ministrave të ardhshëm që qarkullojnë në media, është fakti se zonjat do të jenë sërish në një numër të madh në qeveri, kartë kjo që është përdorur në jo pak raste nga Rama, për të ilustruar vizionin e qeverisjes së tij.

Shtatori do të jetë i vrullshëm për politikën shqiptare, pasi java e ardhshme (e premte 10 shtator) do të nisë dhe sesioni i ri parlamentar, e ku pritet të zgjidhet dhe drejtuesi, po me propozim të Ramës.

Rendi i ditës në Asamblenë e PS:

Mbështetur në Statutin e Partisë dhe në Rregulloren për Organizimin dhe Funksionimin e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Neni 4, Sekretari i Përgjithshëm thërret Mbledhjen e Asamblesë Kombëtare me këtë rend dite:

Hapja e mbledhjes dhe miratimi i rendit të ditës.
Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste Edi RAMA.
Zgjedhja e Kryesisë së re, drejtuesve politikë të qarqeve dhe sekretariatit ekzekutiv të partisë.



Më të lexuarat