Prapaskena

U përball me sulmet e talebanëve, ushtari afgan i Forcave Speciale të SHBA rrëfen momentet dramatike: Vdisnin njerëz para meje!

Publikuar: 01/09/2021

Më shumë se 120,000 vetë u evakuuan nga Afganistani gjatë muajit të kaluar pasi Shtetet e Bashkuara tërhoqën trupat e tyre nga vendi dhe talebanët morën kontrollin e vendit. Një familje afgane emigroi në Hjuston të Teksasit, ku po fillon një jetë të re.

Anëtarët e familjes Sediqi nuk kishin asgjë tjetër përveç rrobave që kishin veshur kur u larguan nga Afganistani javën e kaluar. Tani në Hjuston të Teksasit, nën kujdesin e organizatës YMCA International, familja prej katër vetash po mbështetet tek ndihma e të tjerëve ndërsa fillon jetën e tyre të re.

Kthesa e papritur e ngjarjeve në Afganistan ka tronditur Abdul Aman Sediqin, i cili punoi me Forcat Speciale të Ushtrisë Amerikane nga 2012 deri sa ai u largua nga Afganistani, duke hequr eksplozivë gjatë ditës dhe duke ndihmuar me operacione të tjera gjatë natës.

“Unë mendoja se e gjithë bota qëndronte pas nesh dhe mendonte për idetë tona, për shpresën tonë dhe për të ardhmen tonë. Por të gjithë u larguan, krejt papritur”, thotë Abdul Aman Sediqi për Zërin e Amerikës.

Përmes punës së tij me forcat speciale amerikane, Sediqi u kualifikua për një Vizë Speciale të Imigrimit, – dhe kjo, së bashku me këmbëngulje dhe fat, i çuan në një avion për në Hjuston të Teksasit, më 21 gusht dhe në një apartament modest me një dhomë gjumi, financuar nga qeveria amerikane.
“Kam parë shumë gjatë jetës sime. Ka pasur luftëra, shpërthime, njerëz që kanë vdekur para meje, dhe kurrë nuk kam pasur një jetë të paqtë. Unë thjesht dua të jem i sigurt, dhe jam i lumtur që jam këtu. Thjesht dua të jetoj një jetë të qetë”, thotë Abdul Aman Sediqi.

Sanya Wafeq, e cila përkthen për Sediqin, është gjithashtu menaxhere për rastin e familjes me organizatën YMCA International. Ajo po ndihmon refugjatët e tjerë afganë që kanë ardhur në Hjuston javët e fundit të strehohen.

“Këto familje po vijnë tani, sepse duhej të shpëtonin jetën. Pra, kjo është arsyeja pse ata po vijnë me asgjë tjetër me vete. Ne do t’i ndihmojmë të gjejnë punë, ne do t’i ndihmojmë të marrin ndihmë nga qeveria, dhe do t’i ndihmojmë ata të marrin të gjitha dokumentet e tyre”, thotë Sanya Wafeq.

Familja e Tram Ho-së po ndihmon me shpenzimet për sendet e nevojshme. Ho erdhi në Shtetet e Bashkuara si refugjate në adoleshencë në prag të Luftës së Vietnamit. Ajo donte që fëmijët e saj të lindur në Amerikë të takonin refugjatët.

“Me të vërtetë mu mbushën sytë me lot sepse ne ishim si ata me rënien e Saigonit. Këta njerëz konsiderohen me fat që janë në gjendje të vijnë në Amerikë për sigurinë e familjes së tyre. Ne ishim me fat kur erdhëm në Amerikë në vitin 1981 për të krijuar një jetë të re, dhe amerikanët hapën krahët për të na ndihmuar. Ne po bëjmë të njëjtën gjë për afganët”, thotë zonja Ho.

Sediqi thotë se është e vështirë të fillosh nga e para në moshën 36 -vjeçare. Por qëndrimi në Afganistan nuk ishte i mundur pasi jeta e tij ishte në rrezik. Ai shqetësohet për familjen e mbetur ende atje, dhe shpreson që t’i tërheq ata gjithashtu.

Një vend i ri, një gjuhë e re – është shumë. Por ai shikon fëmijët e tij.
“Ai është i lumtur që të paktën fëmijët e tij do të jenë në gjendje të kenë një jetë të mirë këtu dhe një të ardhme të mirë”.
Një jetë që kjo familje do të ndërtojë së bashku, me ndihmën e të tjerëve./VOA



Më të lexuarat