Epidemiologu i njohur Ilir Alimehmeti, në një intervistë me gazetaren Mirela Milorin, është shprehur se suksesi për të mposhtur virusin Covid-19, është imuniteti natyror dhe vaksinimi.
Sipas tij, kushdo që ka kaluar Covidin ka një imunitet natyror, që sipas tij, kjo mbrojtje është mëse e mjaftueshme.
Alimehmeti thotë se ai vetë personalisht e ka kaluar Covidin, por është vaksinuar për shkak të detyrës.
Ndërsa për personat të cilët nuk kanë kaluar këtë virus dhe për grupet vurnerabël, vaksinimi është i domosdoshëm dhe duhet të aplikohet me patjetër.
Mirela Milori: Sa ndihmon vaksinimi?
Ilir Alimehmeti: Patjetër shumë. Dy çelësa ka këtu. Njëri çelës është kush e ka kaluar në mënyrë natyrore dhe tjetri çelës është vaksinimi. Për vaksinimin ne e dimë fiks se sa persona e kanë bërë dhe mund të flasim me përqindje. Kurse për sa e kanë kaluar nuk e dimë dhe si rrjedhojë nuk flasim dot me përqindje. Por për ç’ka dimë të sigurtë është që është një imunitet më i gjatë dhe më i fortë. Plus kësaj kemi dhe shumë njerëz që dhe janë vaksinuar përtej që e kanë kaluar, kështu që kjo ndihmon në mënyrë absolute dhe kjo është arsyeja pse ne në Shqipëri shohim këto shifra.
Mirela Milori: Jeni vaksinuar ju?
Ilir Alimehmeti: Për shkak të detyrimit kam marrë dozën e parë, por në të kundërt unë mendoj që imuniteti natyror do të dilte më se i mjaftueshëm.
Mirela Milori: Në qoftë se nuk do të ishit mjek nuk do të ishit vaksinuar?
Ilir Alimehmeti: Jo, jo. Këshilla është ajo sepse po ta shikojmë ne me çdo lloj virusi në momentin që ka kaluar në mënyrë natyrore, trupi e ka njohur virusin, më pas nuk ka qenë ndonjëherë nevoja për vaksinë. Patjetër edhe ky virus tek kjo rrugë do shkojë, thjesht do na duhet çik më tepër kohë që të bindemi për këtë.
Mirela Milori: Masa më efikase për ju? Vaksinimi? Distancimi? Masat mbrojtëse cilat janë?
Ilir Alimehmeti: Janë bashkë se po ta shikojmë, vaksinimi mbrojtjen më të madhe e ka ndaj personit që merr vaksinat. Tek ata persona që nuk e kanë kaluar fare ose kanë një imunitet të dobët dhe s’kanë ngritur dot një përgjigje sa duhet ndaj infeksionit natyror, vaksina patjetër ndihmon ndaj rasteve të rënda.
Fatkeqësisht nuk është vaksinë neutralizuese, do të thotë që lejon infektimin e personit, si rrjedhojë lejon infektimin e të tjerëve prej këtij personi të vaksinuar, që nxjerr jashtë loje komplet strategjinë e Green Pass, sepse Green Pass për këtë është që të kemi një person përderisa është vaksinuar nuk infekton të tjerët. Kjo siguri nuk ekziston më dhe këtu duhet të punohet. Por vaksina sot me patjetër tek kush nuk e ka kaluar, sidomos tek grupet vurnerabël, në mënyrë absolute është vaksina.