Luan Rama vendosi ditën e sotme të largohet nga të gjitha funksionet që ka në LSI, duke u ndarë nga kjo parti pas 13 vitesh që nga themelimi i saj. Një parti që lindi nga shkëputja e Partisë Socialiste dhe që mundësoi dhe kthimin në pushtet dhe të qëndrimit të Berishës për tetë vite në krye të qeverisjes.
Por sikur të mos mjaftonin rrjedhjet e njëpasnjëshme në parti. Monika Kryemadhi duket se ka pridhur “martesën” politike me partinë demokratike, Lulzim Basha nuk kërkon të ndajë pushtetin e opozitës me LSI-në.
Tre nga tetë Komisionet e Përhershme Parlamentare i drejton opozita. Ndryshe nga viti 2017 kur PD-ja e la komisionin për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë nën drejtimin e LSI-së, këtë herë gjërat janë ndryshe. Kreu i partisë demokratike ka rezervuar për PD-në të tre komisionet, Shëndetësinë, Integrimin dhe Median.
Agron Gjekmarkaj do të drejtojë Komisionin për Arsimin dhe mjetet e Informimit Publik, ndërsa Jorida Tabaku do të zëvendësojë ish-deputetin e PD-së, Genc Pollo në krye të Komisionit të Integrimit. Albana Vokshi do të jetë kryesuese e komisionit të Shëndetësisë që e ka drejtuar edhe në vitet 2013-2017.
Kujtojmë se tashmë jeta parlamentare e partisë së Kryemadhit ndodhet në duart e Lulzim Bashës, pasi rezultati i dobët me 4 deputetë në zgjedhjet e 25 prillit nuk i lejon të ketë grup parlamentar. LSI i duhen 3 deputetë të tjerë që të krijojë grup parlamentare dhe të ketë karrige të saj në komisione parlamentre.