Ka mbërritur në Shqipëri grupi i dytë me afganë. Në Rinas ka mbërritur avioni me rreth 150 afganë. Burime bëjnë me dije se do të ketë edhe një fluturim tjetër dhe avioni pritet të mbërrijë gjatë orës 1 të mëngjesit, me rreth 60 afganë. Këto 2 grupe do të strehohen paraprakisht në ambientet e konvikteve te Qytetit Studenti, ndërsa grupi i parë me 121 afganë u strehua në hotele në Durrës.
Në pritje të tyre kanë qenë përfaqësues nga ambasada e SHBA në Tiranë dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.
Grupi i parë me 121 afganë mbërriti mëngjesin e sotëm kur ora shënoi 03:20. Mes tyre 11 ishin foshnja që prekën tokën shqiptare për një jetë më të sigurt dhe larg luftës në vendin e tyre. Pas nisjes nga Kabuli, avioni me afganët që u strehuan në Shqipëri, bënë një ndalesë në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, dhe më pas drejt Rinasit. Me çanta mbi shpina, e fëmijët në duar, fillimisht afganët iu nënshtruan përpunimit të të dhënave individuale, regjistrimit dhe më pas ekzaminimeve mjekësore në çadrat e ngritura në Rinas posaçërisht për ta. Më pas me autobusë të dedikuar u drejtuan në 2 hoteleri në Durrës, ku do të qëndrojnë përkohësisht. Në një prej hoteleve, më konkretisht ‘Belvedere’ janë strehuar 60 afganë, të cilët sipas burimeve janë nëpunës që kanë punuar për fondacionin e George Soros.
Afganët e parë u pritën në aeroport nga ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, që është njëkohësisht edhe drejtuesja e task-forcës që do të merret me menaxhimin dhe koordinimin për akomodimit të afganëve. Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë të cilët po largohen nga vendi i tyre, pasi u kërcënohen nga talebanët. Pritja do të jetë për 4000 afganë që është parashikuar që afganët të qëndrojnë në vendin tonë për të paktën 1 vit, por nëse dikush prej tyre do të qëndrojnë përgjithmonë, është i lirë për ta bërë.