Mbërrijnë 121 afganët e parë në Shqipëri, me fëmijë në duar dhe të trembur, Yuri Kim në derën e avionit

Pa Kategori

Publikuar: 27/08/2021

Mbërrijnë 121 afganët e parë në Shqipëri, me fëmijë në duar dhe të trembur, Yuri Kim në derën e avionit

Me fëmijë në duar dhe të trembur që po shkelin në një vend të huaj, kanë mbërritur në Rinas 121 afganët e parë. Pak përpara se ata të dilnin nga avioni dhe të shkelnin në tokën shqiptare ka ngjitur shkallët ambasadorja Yuri Kim.

121 afganët e parë kanë ardhur me avion civil nga Tbilisi. Në Rinas ndodhen struktura të ushtrisë dhe ekipe shëndetësore në gatishmëri. Për të pritur 121 afganët e parë ishte ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka.

Një pjesë e 121 afganëve kanë punuar për organizatën ‘Shoqëria e Hapur’, ndërkohë pjesa tjetër janë aktorë, anëtarë të shoqërisë civile bashkë me familjet e tyre.

Me çanta mbi shpina, e fëmijët në duar, fillimisht afganët i janë nënshtruar përpunimit të të dhënave individuale, regjistrimit dhe më pas ekzaminimeve mjekësore në çadrat e ngritura në Rinas posaçërisht për ta. Më pas me autobus të dedikuar i janë drejtuar hotelerive në Durrës, ku do të strehohen dhe qëndrojnë për aq sa është e nevojshme.

Në një deklaratë Ministria e Punëve të Jashtme deklaron se në mesin e 121 afganëve të parë që erdhën në Shqipëri janë 11 foshnja,të cilët aktualisht i janë nënshtruar përpunimit të të dhënave individuale. Më pas ata do të nisen drejt strukturave hoteljere në Durrës.

Njoftimi i ministrisë

“Ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, avioni i parë me 121 qytetarë afganë, mes të cilëve 11 foshnja,të cilët aktualisht i janë nënshtruar përpunimit të të dhënave individuale. Më pas ata do të nisen drejt strukturave hoteljere në Durrës. Qytetarët janë pritur nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, drejtues të FA dhe policisë së shtetit”.

Në intervistat për media, kryeministri Edi Rama ka thënë se Shqipëria do të presë rreth 4000 afganë. Mësohet se afganët që mbërritën sot janë nisur nga Kabuli 2 orë pas sulmeve kamikaze. Në këto sulme mbetën të vdekur 60 persona si dhe u plagosën 140 të tjerë. Pjesë të viktimave janë edhe 13 trupa të ushtrisë amerikane.

Shteti Islamik mori përgjegjësinë e sulmit kamikaz jashtë aeroportit të Kabulit, ndërkohë që për ngjarjen reagoi edhe presidenti i SHBA, Joe Biden i cili tha SHBA nuk harronin dhe ISIS ka për të paguar për këtë sulm të bërë.