Prapaskena

Kujdes! SHBA shpall ‘Açai One’ mashtrim kriminal, produkti nuk ju dobëson

Publikuar: 27/08/2021

Pilulat e AçaiOne, të cilat u shiten në masë shqiptarëve gjoja për heqjen e kileve të tepërta, nuk të dobësojnë. Reklamimi i AçaiOne si një produkt që të dobëson është thjeshtë një mashtrim kriminal, për t’ju marrë paratë.

Ky është konkluzioni i drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe i ekspertëve të shëndetit dhe ushqimit në Perëndim.

Pas një beteje të shpejtë dhe energjike, drejtësia në SHBA, në bashkëpunim me ekspertët e shëndetit, kanë ndaluar rekalimin e AçaiOne për dobësim, si një mashtrim kriminal.

Pilulat e AçaiOne ndoshta nuk ju rrezikojnë shëndetin, por nuk ka asnjë provë shkencore që ndikon në procesin e dobësimit.

Nëse AçaiOne do të të dobësonte me 10 kg në një kohë të shkurtër, siç pretendojnë matrapazët që shesin produktin për t’ju marrë paratë, në Shqipëri dhe në botë nuk do të kishte mbetur njeri mbi peshë, por të gjithë njerëzit do të ishin elegantë.

Nëse mbipesha do të zgjidhej me disa pilula, sot nuk do të ishte problemi shëndetësor dhe sfida më e madhe e kohës.

E vetmja rrugë e sigurt drejt peshës normale dhe të shëndetshme janë; konsultimi me mjekun dhe specialistët e fushës, ndjekja e një regjimi ushqimor të përhershëm sipas këshillave të specialistëve dhe aktiviteti fizik.

Të gjithë ata që kanë provuar AçaiOne, në përpjekjet e tyre të dëshpëruara për gjetur një zgjidhje magjike, kanë rënë pre e një mashtrimi kriminal, i cili ende nuk është ndalur nga policia dhe prokuroria.

Ata që janë mashtruar një herë, tashmë nuk shpenzojnë më para për pilula pa asnjë vlerë.

Por, mashtrimi vijon, pasi njerëzit që fshihen pas piramidës AçaiOne, sajojnë vetë mesazhe, në emër të personave që nuk ekzistojnë, duke pohuar efektet çudibërëse të AçaiOne dhe duke kërkuar gjoja pilula të tjera.

Mesazhet e sajuara publikohen në faqet e reklamimit të AçaiOne, për të nxitur persona të tjerë që të bien në grackën e mashtrimit financiar.

Po t’i shikoni me vëmendje, të gjitha mesazhet e sajuara nuk kanë emrin e klientit, pasi në fakt klienti nuk ekziston.

Në adresë të matrapazëve të AçaiOne ka me qindra denoncime për mashtrim nga klientët, shprehje zhgënjimi etj.

Por, asnjë nga këto mesazhe nuk publikohen, pasi një gjë e tillë do të dekonspironte të gjithë skemën kriminale të mashtrimit në sytë e publikut.

Policia dhe prokuroria, me një verifikim të thjeshtë, mund të dokumentojnë skemën kriminale të mashtrimit dhe përfituesit prej saj.

Të gjitha ata që kanë ende dyshime, të kontaktojnë dhe të pyesin një të afërt, i cili ka konsumuar pilulat AçaiOne, nëse i ka humbur apo shtuar kilet e tepërta.

Qendra për Shkencë në Interesin Publik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka paralajmëruar qytetarët amerikanë të mos harxhonin paratë duke blerë produktin Açai, pasi efektet gjoja çudibërëse në dobësim, janë vetëm një mashtrim.

Për këtë arsye, disa gjykata në SHBA kanë ndaluar reklamat mashtruese për Açain.

Në deklaratë e Qendrës për Shkencë në Interesin Publik në SHBA thuhet ndër të tjera: “Nuk ka asnjë provë që të sugjerojë që pilulat Açai do të ndihmojnë në heqjen e kilogramëve, rrafshimin e barkut, pastrimin e zorrës së trashë, rritjen e dëshirës seksuale ose kryerjen e ndonjë prej funksioneve të tjera të reklamuara zakonisht. Në të vërtetë, lëngu açai ka nivele me antioksidantë më pak se ai i lëngjeve të rrushit, boronicës dhe qershisë së zezë… Asnjë provë e besueshme nuk sugjeron që antioksidantët nxisin humbjen e peshës”.

Pas hetimeve dhe ekspertizave, Prokurori i Përgjithshëm Richard Blumenthal ka pohuar se “Nuk ka manaferra magjike nga pyjet brazilianë që shërojnë mbipeshën – vetëm boshatisje të kartave të kreditit dhe premtime boshe për humbje peshe”.

Komisioni Federal i Tregtisë (FTC), një agjenci qeveritare amerikane për të verifikuar mashtrimin e qytetarëve përmes reklamave të rreme, ka bërë një raport për këtë çështje. Komisioni Federal i Tregtisë urdhëroi ndalimin e reklamimit të pilulave që gjoja të dobësojnë.

Kreu i komisionit Timothy Muris lëshoi këtë mesazh pas hetimit: “Nuk ka pilulë magjike për humbjen e peshës, Produktet mashtruese të humbjes së peshës synojnë njerëz të dëshpëruar për të humbur peshë dhe të gatshëm të provojnë pothuajse gjithçka”.

Po ashtu, gjykatat e Illinois, New Jersey, Neë York, Washington, Michigan dhe Georgia kanë ndaluar reklamimin e Açait për gjoja dobësim, duke pranuar pretendimet e Komisioni Federal i Tregtisë se pilula është një mashtrim. Përveç goditjes federale, Prokurorja e Përgjithshme e Illinois Lisa Madigan ka kërkuar ndëshkimin e një prej krerëve të rrjetit. (Pamfleti)



Më të lexuarat