Edi Rama bëri dje bilancin e mandatit të dytë qeverisës dhe sinjalizoi largimin e disa ministrave, të cilët nuk do të jenë pjesë e kabinetit për mandatin e tretë.
Rama sinjalizoi largimin e ministrit të Turizmit, Blendi Klosi dhe ministres së Arsimit, Evis Kushi, duke i identifikuar sektorët e tyre më të dyshuarit.
Në fakt, Kushi dhe Klosi kanë degjeneruar dhe skandalizuar më tej sektorët e arsimit, turizmit dhe mjedisit.
Arsimi është në kaos total, ndërsa arritja më e madhe e turizmit këtë vit, janë djegia e grumbujve të plehrave në zonat bregdetare, pisllëku në zonat urbane, abuzimi me çmimet dhe gjakderdhja për shezolge.
Por, Kushi dhe Klosi nuk janë përgjegjësit kryesor për këtë degradim dhe gjithashtu nuk janë përfshirë në afera madhore korruptive.
Duke sinjalizuar largimin e tyre, Rama tha se “Prandaj mbetet për më tej që ta bëjmë këtë, duke e mbajtur mirë shënim dhe çka nuk arritëm të bënin sa dhe si duhet për mangësitë tona, ende të konsiderueshme, në aspektin cilësor të sezonit turistik si për shembull, plagën ende të hapur, në disa raste edhe kutërbuese, të plehrave dhe të papastërtisë në zonat turistike ku duhet ndërruar qasja dhe përqendruar energji e forca shumë më të mëdha….Ashtu sikundër nuk jam aspak krenar për gjendjen tërësore të universiteteve, të cilën do ta adresojmë me shumë punë, me shumë durim, në bashkëpunim të ngushtë me rektorët, duke synuar njëkohësisht në vijim, përfshirjen sa më shumë në arsimin tonë të lartë të universiteteve publike ndërkombëtare. Shqipëria 2030 duhet të kthehet në një hap të arsimit të lartë në rajon”.
Edi Rama do të largojë ministrat e paaftë, por jo ministrat e korruptuar.
Madje, korrupsioni duket se do të jetë kriteri bazë, për përzgjedhjen e kabinetit të ri qeveritar.
Me shumë gjasa, dy ministrat më të akuzuar për korrupsion, Arben Ahmetaj dhe Ogerta Manastirliu, do të jenë pjesë e kabinetit të ri qeveritar.
Nga ana tjetër, Erion Braçe, nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re. Braçe do të mbahet mend vetëm për firmosjen e kalimit të pasurive të publike në duart e klientëve dhe oligarkëve.
Rama urdhëroi të dorëzonte mandatin e deputetit edhe Najada Çomon, të cilën e përdori në fushatën elektorale, si gjoja sukses të luftës kundër Covid-19.
Duke larguar Çomon, Rama futi në Kuvend, Mimi Kodhelin, e cila i kishte thënë lamtumirë politikës.
Në vijim, Rama pritet të urdhërojë edhe Luljeta Bozon që të dorëzojnë mandatin, për të futur në Kuvend, Pandeli Majkon./Pamfleti