Prapaskena

Skandali i MCA dhe ACDA, kush janë dy çiftet që kanë ngritur skemën abuzive të ‘zhvatjes përmes kredive’

Publikuar: 15/08/2021

Me qindra-mijëra shqiptarë kanë rënë “pre” e mashtrimit të shoqërive përmbarimore dhe të kompanive MCA, ADCA, ZIG, STAR, FLASH, FS.

Së fundmi nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë dhe nga dhjetëra qytetarë është denoncuar një tjetër skandal nga këto kompani, të cilat përmes shkresave fiktive, kanë futur në kurth qytetarët duke u kërkuar shlyerje kredish të vjetra bankare, detyrime të kompanive telefonike, apo të institucioneve të mikrokredisë.

Me qindra qytetarë kanë marrë shkresa, ku në emër të ligjit shantazhohen me njoftime apo lajmërime me karakter mashtrues si është titulli “Njoftim për bllokimin në gjykatë të pagës së palës debitore”. Tipologjia e shprehjeve me karakter ekzekutues përmbarimor përdoret gjerë në këto shkresa, ku në pjesën dërrmuese nuk shënohet fare emri dhe mbiemri i dërguesit, nënshkrimi dhe adresa e tij. Shkresat pothuajse anonime mbështeten vetëm mbi akronime të shoqërive që nuk janë zyra përmbarimi.

Por kush fshihet pas këtyre kompanive?

Pak muaj më parë, emisioni Top Story zbuloi në mënyrë ekskluzive se kush janë dy çiftet që fshihen pas këtyre kompanive që qarkulluan miliona euro.

Këta persona, të cilësuar si fantazmë për publikun deri para pak kohësh, kanë ngritur një skemë abuzive me kreditë e këqija.

Bëhet fjalë Elda Ibron dhe Olsi Ibron, të cilët janë bashkëshortë, si dhe Arben Meskutit dhe Ernela Çuberin, bashkëjetues dhe prindër të tre fëmijëve.

Olsi Ibro ka qënë punonjës juridik në periudha të ndryshme i Micro Credit Albania, ZiG Company. Aktualisht punjonjës i ADCA dhe ortak i Re-Plus me emër tregtar Re-Max Plus. Ndërsa Elda Ibro është ortake dhe administraore e Micro Credit Albania.

Arben Meskuti ortak dhe administrator në periudha të ndryshme i Shërbimit Përmbatimor ZiG, zyrë avokatie ADCA dhe shoqërisë përmbarimore FLASH. Në këtë skemë ky shtetas ka përfshirë edhe mamanë e tij Yllka Meskuti. Ajo është ortake dhe administratore e shërbimit përmbarimor ZiG dhe FLASH. Ernela Çuberi, bashkëjetuesja dhe nëna e fëmijëve të Arben Meskutit ka luajtur rolin e noteres. Në vitin 2019 asaj i është hequr licensa pasi u vërtetua se aktivitetin nuk e kryente në rrethin ku ishte licensuar në Kavajë, por në Tiranë. Ajo ka bërë 7535 akte noterie dhe 7285 prej tyre i ka për ADCA, pra për skemën kompanisë kreditimit.

Ernela Çuberi është licencuar në 2016 si notere në Kavajë. Ajo ka deklaruar në QKB se ka ushtruar aktivitet noterie pikërisht në pronën e Skënder Llixha me adrese: Kavajë, Lagjja Nr.3, Rruga Skuraj, ndërtesa nr. pasurie 2/204, zk.8552. Por noterja Çuberi nuk ka kryer kurrë aktivitet në këtë punishte që ka qenë në përdorim të Skënder Llixha dhe fqinjëve të tij. MCA ka marrë në pronësi dyqanin me makinacionin “STAR” duke ja dhënë në përdorim noteres Çuberi.

Ministria e Drejtësisë ka shkarkuar noteren Ernela Çuberi dhe e ka paditur në prokurori. Por nga ana tjetër, noterja ka paditur Ministrinë e Drejtësisë për heqjen e licensës. Sipas dokumentit që ka siguruar Top Story, në 16 qershor 2020 gjykata ka vendosur rikthimin në detyrë të kësaj notereje.

Nëse analizojmë me kujdes vendimin e gjykatës, do të shohim që avokatja që e ka përfaqësuar është Besa Llabunishti. Kjo avokate ka konflikt interesi në përfaqësimin e noteres, sepse në vitin 2016 ka punuar si sekretare gjyqësore me gjyqtaren Akelina Gazidedja. Ndërkohë që kjo e fundit është një nga gjyqtaret që ka marrë vendimin kundër urdhrit të Ministrisë së Drejtësisë.

Indrid Çuberi, vëllai i noteres Ernela Çuberi ka qenë ortak dhe vijon I punësuar pranë ADCA. Pra, e gjithë skema e abuzimit me kreditë sillet rreth dy çifteve dhe familjarëve të tyre.

Si u ndërtua skema e mashtrimit?

Në këtë skemë janë të përfshira përmbarues dhe shoqëri përmbarimore, institucion financiar jo bankë, zyrë avokatie, noterë dhe Agjenci “Collection” në mbledhje të kredive të këqija. Skema është ndërtuar duke përdorur në mënyrë të lidhur dhe të strukturuar veprime të koordinuara të të gjitha këtyre shoqërive.

Këto shoqëri kanë future në një rreth vicioz qindra qytetarë të përfshirë në procese përmbarimore. Duke i imponuar debitorët në marrjen e kredive të reja tek Micro Credit Albania kanë tjetërsuar pasuritë e tyre të paluajtshme dhe i kanë kaluar ato në pronësi të kësaj shoqërie. Siç treguam edhe më lart, përsonat dhe shoqëritë që kanë ngritur këtë skemë kanë lidhje direktë familjare me njëri tjetrin./Gazeta SHQIP



Më të lexuarat