Mediat presitigjioze ndërkombëtare njoftuan se SHBA po zhvillon diskutime sekrete me disa vende, mes tyre edhe Shqipëria e Kosova, për të strehuar përkohësisht mijëra afganë që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan.
Sipas Reuters, në rast të një marrëveshjeje, shtetasit afganë do të strehohen përkohësisht në këto vende, derisa të përfundojë procesi i miratimit të vizave të tyre amerikane.
Nxjerra nga vendi i tyre i afganëve që kanë punuar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëhet për t’i shpëtuar ata nga hakmarrja e talebanëve, të cilët kanë marrë nën kontroll thuajse gjithë shtetin.
Deri më tani, rreth 1,200 afganë janë evakuuar në Shtetet e Bashkuara dhe ky numër do të rritet në 3,500 në javët e ardhshme.
Sipas Reuters, Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës stimuj ekonomikë dhe politikë në shkëmbim të pranimit te disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se Uashingtoni ka shqetësime lidhur me aftësinë e Kosovës për të strehuar afganët.
Nga muxhahedinët iranianë, tek afganët
Por ndërsa nuk ka ende vendim zyrtar për strehimin e afganëve, marrëveshje të tilla të Shqipërisë me SHBA nuk janë të panjohura për shqiptarët.
Kujtojmë se mijëra muxhahedinë iranianë, të cilësuar ndryshe edhe si opozita iraniane në emigrim, ndodhen në Shqipëri prej disa vitesh.
Po kush janë muxhahedinët?
Në Iran janë të shpallur si grup terrorist dhe të padëshiruar, ndërsa kanë mbështetjen e SHBA dhe të Perëndimit.
Ishte viti 1965 kur u krijua ky grupim dhe që në fillimet e tyre e deri në vitin 70’ kanë qenë në opozitë me ish liderin e Iranit Mohammad Reza Shah. Pas përmbysjes së regjimit të tij dhe triumfit të revolucionit islamik, kjo organizatë sërish mbeti në opozitë, dhe u shpall si “terroriste” nga Ajetullahu Ruhollah Homeini. Kjo bëri që të detyrohen të largohen nga vendi i tyre, ku një pjesë emigruan në Perëndim dhe një pjesë shumë e madhe u strehuan në Irak, ku ngritën kampin “Ashraf”.
Në Irak ata u përfshinë në organizimin e aksioneve terroriste dhe destabilizuese kundër regjimit iranian, të mbështetur nga diktatori Husein. Për këtë arsye ata u caktuan si organizatë terroriste nga shumë vende perëndimore përfshi edhe SHBA-të.
Pas konfliktit të SHBA-ve në Irak dhe hyrjes së ushtrisë amerikane në këtë vend për të rrëzuar regjimin e Sadam Husein, muxhahedinët iranianë dolën në krah të SHBA dhe ushtrive të NATO-s.
Për këtë arsye ata u morën në mbrojtje nga ushtria amerikane.
Si u strehuan në Shqipëri?
Muxhahedinët u morën nën mbrojtjen e SHBA pas ndërhyrjes së tyre të armatosur në Irak në vitin 2003 dhe mbështetjes që ata u dhanë operacioneve ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe luftën kundër terrorizmit
Pasi ushtria e SHBA-ve mori në kontroll gjithë territorin, ky grupim filloi zhvendosjen nga kampi i krijuar në Irak. Në vitin 2013, qeveria shqiptare ra dakord me sekretaren e Shtetit Hillari Klinton, që nga Iraku të mbërrinin në Tiranë 270 muxhahedinë. Këta të fundit morën të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe u trajtuan me statusin e azilantit politik.
Rotacioni i pushtetit nga qeveria e PD-së tek PS nuk e ndryshoi marrëveshjen e arritur më 2013 për pranimin e muxhahedinëve në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama ra dakord me autoritetet amerikane që në Shqipëri të strehoheshin një numër rreth 3 mijë muxhahedinësh iranianë. Me ardhjen e këtij kontingjenti të dytë të opozitës iraniane, u ngrit edhe kampi “Ashraf” në zonën e Manzës në periferi të Tiranës. Këtë hap të tij, në reagimet publike, Rama e konsideroi si një vendim humanitar dhe jo politik.
Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta zyrtare, numri i muxhahedinëve që strehohen në kampin e Manzës mendohet se është 3500.
Si qeveria e PD, ashtu edhe ajo e PS, kanë ofruar shumë pak informacion në lidhje me marrëveshjen me SHBA dhe numrin e saktë të muxhahedinëve të strehuar në Tiranë.
Lideri i Iranit godet Shqipërinë: Një vend i vogël në Europë strehon armiqtë tanë
Vendimi i Shqipërisë, ka shkaktuar pakënaqësi te iranianët. Vetë lideri I Iranit, Al Khameni ka folur për Shqipërinë duke e quajtur një vend të keq dhe djallzor europian që po strehon armiqtë tanë.
“Është një vend shumë i vogël por shumë djallzor europian, ku elementë amerikanë bashkëpunojnë me tradhtarë iranianë dhe planifikojnë kundër Republikës Islamike. Dhe plani që kishin u pa qartë, me protestat që u mbajtën në Iran, pasi disa nga ata tradhtarë erdhën në Iran për të protestuar. Agjentë armiq nisën të zbatojnë planin për të sabotuar, vrarë dhe opër të shkatërruar si qeverinë ashtu dhe kushtetutën tonë”.