Meta-Berisha, mesazh Arben Krajës: Jemi komshinj në Gjirin e Lalzit, kujdes me dosjet në shtator!

Pa Kategori

Publikuar: 04/08/2021

Meta-Berisha, mesazh Arben Krajës: Jemi komshinj në Gjirin e Lalzit, kujdes me dosjet në shtator!

 

Faqe online të paidentifikuara sajuan mbrëmë një lajm sikur hajdutët kishin vjedhur dhe kishin  bërë kërdinë në shtëpinë e kreut të SPAK, Arben Kraja, në Gjirin e Lalzit.

Lajmi i sajuar nga një faqe anonime dhe pa autor, u shpërnda në mënyrë të koordinuar nga një rreth mediesh të lidhura fort me Ilir Metën dhe Sali Berishën, dyshen që përfaqëson makthin nga veprimi i SPAK, fronin kundër reformës në Drejtësi, linjën kundër SHBA si dhe perandorinë e pandshkueshmërisë, krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.

Prej disa muajsh, në forma të ndryshme, Ilir Meta dhe Sali Berisha fshihen pas sulmeve kryesisht kundër ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim dhe SPAK, në përpjekje të dëshpëruar për të marrë një garanci se nuk do të jenë objekt goditje i drejtësisë së re, produkt i investimit të SHBA në Shqipëri.

Lajmi i sajuar dhe i përhapur me shpejtësi nuk konsistonte se Arben Krajës iu vodh banesa dhe se në Shqipëri ka pasiguri etj. As nuk ishte një sulm ndaj Arben Krajës.

Lajmi i rremë në fakt mbart një të vërtetë të pamohueshme dhe një mesazh. E vërteta është se kreu i SPAK ka një shtëpi në Gjirin e Lalzit, i njohur si fshati ku janë mbledhur kokat e korrupsionit dhe oligarkisë në Shqipëri.

Në vitin 2017, Kraja ka lidhur një kontratë për blerjen e një apartamenti në një kompleks në Gjirin e Lalzit, me vlerë 130 mijë euro, duke paguar fillimisht vetëm një këst me vlerë 15 mijë euro.

Pranë banesës së re të shefit të SPAK, kanë sarajet me vlerë miliona euro, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Vilat e Metës dhe Berishës janë një provë krimi.

Sa herë shefi i SPAK shkon për të pushuar në shtëpinë e tij në Gjirin e Lalzit, ai shikon vilat e Metës dhe Sali Berishës, të ngritura me para të pista.

Ka 20 muaj që Kraja është zgjedhur në krye të SPAK, investimit amerikan dhe shpresës së madhe të shqiptarëve për të goditur korrupsionin në nivele të larta.

Mandati i Krajës mbaron në fund të vitit 2022.

Ai ka konsumuar më shumë se gjysmën e mandatit pa lënë asnjë gjurmë, në luftën që presin të gjithë për të goditur korrupsionin elitar në Shqipëri, me në krye Ilir Metën, Sali Berishën, Edi Ramën, Monika Kryemadhin dhe Lulzim Bashën.

Nga ana tjetër, Arben Kraja është nën presionin e madh të SHBA-BE dhe shqiptarëve, për të vepruar, për të justifikuar besimin e madh që i kemi dhënë.

Pikërisht në këtë rrethana dhe të tmerruar nga ideja e veprimit të SPAK ndaj tyre, sidomos në shtator, Ilir Meta dhe Sali Berisha i kërkojnë Arben Krajës që të ketë kujdes, duke i vënë në dukje se edhe ai është komshi me ta, në fshatin që mban namin e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Meta dhe Berisha synojnë që Kraja të mbyllë mandatin pa asnjë goditje ndaj korrupsionit elitar. Tashmë është në dorën e Arben Krajës për të hyrë në histori apo për t’u mbajtur mend thjeshtë si një komshi i Sali Berishës dhe Ilir Metës./Pamfleti