Biznesmeni i drogës Eduart Dauti thyen rekord, 3 ngarkesa me kokainë brenda muajit

Pa Kategori

Publikuar: 29/07/2021

Biznesmeni i drogës Eduart Dauti thyen rekord, 3 ngarkesa me kokainë brenda muajit

Eduart Dauti, i cili tashmë mban titullin biznesmeni i drogës, po thyer çdo rekord me transportin e kokainës, kamufluar me importin e bananeve me anë të kompanisë
“Alba Exotic Fruit”.

Ditën e sotme në disa kontejnerë të tjerë të kompanisë u gjetën dhe u sekuestruan 7.25 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë në vijim të operacionit “Rada” që ka nisur disa javë më parë.

Lënda narkotike është gjetur gjatë kontrolleve të më shumë se 15 kontejnerëve, të cilët vinin nga Amerika Latine.

Kjo është hera e 3 brenda një muaji që “Alba Exotic Fruit” i gjendet kokainë. Më 13 korrik në Portin e Durrësit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera, të cilat ishin fshehur në kontejnerët e po të njëjtës kompani.

Nga të gjitha ngarkesat e kapura së fundmi në total janë sekuestruar rreth 20 kg kokainë.

Në shtator të 2019, 4 kontejnerë nga Ekuadori u pikasën në portin e Pireut, ku policia greke konstatoi se gjendeshin 137 kilogramë kokainë me destinacion Portin e Durrësit. Kompania që kishte porositur bananet me kontenierët ku ishin fshehur 137 kg kokainë ishte pikërisht “Alba Exotic Fruit” e Eduart Dautit.

Eduart Dauti doli edhe në televizion, duke deklaruar se nuk kishte lidhje me drogën. Sipas tij, drogën e kanë futur të tjerët fshehurazi në bananet e tij.

Dauti tashmë ka marrë damkën si biznesmeni i drogës, por çështja nuk është kaq e thjeshtë.

Në asnjë rast, policia dhe prokuroria nuk i kanë shkuar deri në fund linjës së drogës, për të parë se kush janë kokat e trafikut.

Policia ka kapur vetëm korrierët që kanë marrë ngarkesat në kontejner, duke mos i ndjekur në fshehtësi se ku përfundon kokaina, siç ndodh në vendet Evropiane.

Së dyti, edhe pse është kapur në mënyrë të përsëritur duke trafikut kokakinë, Eduart Dauti i ka shpëtuar ndëshkimit nga drejtësia.

Edhe më skandaloz është fakti, se kompanie e drogës në pronësi të Dautit vijon aktivitetin e eksportit të ‘bananeve’. Këto fakte krijojnë dyshime të forta se pas Dautit fshihen persona me pushtet të madh politik dhe ekonomik.