Kush është Astrit Avdylaj, kreu i bandës së Shijakut u lirua nga qelia e paraburgimit

Pa Kategori

Publikuar: 27/07/2021

Kush është Astrit Avdylaj, kreu i bandës së Shijakut u lirua nga qelia e paraburgimit

Astrit Avdylaj, i akuzuar për trafik droge dhe i përfshirë në dosjen 339 të manipulimit të votave në qarkun e Durrësit, është liruar nga qelia e paraburgimit. Vendimi që u mor të hënën lidhet me tejkalim të afateve procedurale hetimore.

Tashmë ai ndodhet nën masën ‘arrest shtëpie”. Sipas ligjit duhen 12 muaj paraburgim deri në dhënien e vendimit, por deri më tani kanë kaluar 14 muaj dhe ende nuk është dhënë vendimi i shkallës së parë për Astrit Avdylajn.

Por, kush është Astrit Avdylaj?

Astrit Avdylaj, me nofkën Niçja, njihet si kreu i bandës së Shijakut dhe ndaj tij ka pasur akuza edhe për lidhje të forta politike.

Ai u arrestua në vitin 2018, si pjesë e dosjes “339”, gjatë operacionit “Volvo 4” për laboratorin e kokainës që u gjet në Has.

Gjatë hetimit rezultoi se Astrit Avdyli dhe grupi i tij merreshin me trafikimin e sasive të madhe të lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera Evropiane. Në këtë aksion të policisë u arrestuan të paktën 22 persona të tjerë.

Përgjimet në lidhje me dosjen hetimore “339” treguan gjithashtu se Avdylaj ishte i përfshirë edhe në fushatën e Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit.

Media gjermane “Bild” publikoi biseda të tij dhe me ish-kreun e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako ku flitej për sigurimin e votave, por edhe për influencë në përzgjedhjen e kandidateve për deputetë të PS në këtë qark në zgjedhjet e 2017.